Gjykata e Lartë burg përjetë për Dritan Dajtin, flet avokati: Janë bërë dy gabime

Gjykata e Lartë, ka rikthyer në burg përjetë Dritan Dajtin, autorin e vrasjes së katër efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Dajti ishte në prag të lirimit nga qelia, pasi Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.

Pas këtij vendimi, avokati mbrojtës i Dritan Dajtit, Alban Kapexhiu, kërkon specifikimin e gabimit të bërë dhe ndreqjen e tij nga Kolegji Penal, për mosdeklarimin në dispozitiv të faktit që vendimi nuk është i formës së prerë.

“Me 11 Qershor 2024, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Sandër Simoni dhe diskutoi në dhomë këshillimi rekursin e ushtruar nga Prokuroria pranë Gjykatës për Krimet e Rënda Tiranë, kundër të pandehurit Dritan Dajti; ka vendosur:
Prishjen e vendimit nr.13 datë 08.02.2019 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe lënien në fuqi të vendimit nr.95, datë 23.07.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Të njoftohet Prokuroria e Përgjithshme dhe i gjykuari Dritan Dajti. Në dispozitivin e këtij vendimi konstatohen dy gabime:

Gabimi i pare, se nuk deklarohet që ky vendim është apo jo i formës së prerë.
Gabimi i dytë, se deklarohet që vendimi t’i njoftohet Prokurorisë së Përgjithshme”, thuhet në kërkesën e bërë nga avokati i Dritan Dajtit.

Gjykata e lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë të ish-gjykatës për krime të rënda e cila në vitin 2014 e shpalli fajtor Dajtin për vrasjen e katër dëshmorëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Tre gjyqtarët që ulën dënimin e Dajtit në vitin 2019 me 25 vite burg janë shkarkuar nga vetingu ndërsa ndaj tyre nisi një hetim për korrupsion duke iu kontrolluar edhe banesat, dosje e cila u pushua nga SPAK për mungesë provash.

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pranoi gjykimin e shkurtuar dhe më 9 shkurt 2019 dënoi në total me 25 vite burg Dritan Dajtin për vrasjen e katër efektivëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani.

Kështu, gjykimi i shkurtuar i ka dhënë të drejtën Dajtit të përfitojë nga ulja e dënimit me 1/3-ën. Çështja është gjykuar nga gjyqtarë, të cilët vinin nga Apelet e Rretheve, ndërsa vendimi u dha pas disa seancash shtyrje për mosformim të trupit gjykues. Për shkak të “konsumimit” të gjyqtarëve të Tiranës, procesi ndaj Dajtit mbeti në dorën e 5 gjyqtarëve të deleguar nga rrethet.

Konkretisht, në trupin gjykues ishin deleguar për të shqyrtuar çështjen gjyqtarët: Skënder Damini, Fuat Vjerdha, Petrit Aliaj, si dhe Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolla të Gjykatës së Apelit të Vlorës.

Por, kjo nuk ishte hera e parë që autori i vrasjes së katër punonjësve të Policisë, gjykohej në Apel, pasi herën e parë Kolegji Penal, i kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, i dha atij katër vendime me burg përjetë për vrasjen e secilit efektiv Policie.

Ky vendim u kthye nga Gjykata e Lartë për rigjykim, për shkak të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për mungesën e një avokati mbrojtës.

Ngjarja, për të cilën Dritan Dajti u gjykua dhe u dënua me vendim të formës së prerë, me 25 vite burg, ka ndodhur në 7 gusht të 2009, në orën 13:50 në lagjen Nr.13, Plazh, Durrës, pranë pistës së vogël “Iliria”. Në dosjen e Prokurorisë sqarohet se gjatë kryerjes së operacionit për kapjen e shtetasit Dritan Dajti, kanë qenë të pranishëm disa punonjës Policie, ndërsa është marrë informacion për një makinë ku dyshohej se ishte Dajti.

Pas konstatimit të këtij automjeti, grupi operacional ka vazhduar ndjekjen për mbajtjen në vëzhgim dhe kapjen e këtyre personave. Në këtë moment, policët janë afruar në drejtim të mjetit tip “Touareg” me tri automjetet e tyre. Sapo janë afruar te mjeti “Touareg”, punonjësi i Policisë, Fatos Xhani, ka hapur derën e parë të shoferit të mjetit tip “Touareg” dhe me thirrjen “Ndal, Policia!”, i është drejtuar personit që ndodhej në sediljen e pasme të mjetit. Menjëherë nga ana e personit që ndodhej brenda mjetit, është hapur zjarr në drejtim të Fatos Xhanit, duke e lënë të vdekur atë.

Po nga brenda makinës, nga i njëjti person është hapur zjarr nga krahu i djathë i makinës, sedilja e pasme nga brenda jashtë, me dy armë zjarri ku për pasojë, ka mbetur i vrarë punonjësi i policisë Sajmir Duçkollari. Sipas Prokurorisë, personi që qëlloi nga brenda “Touareg”-ut dhe vrau dy punonjësit e Policisë, Fatos Xhani dhe Sajmir Duçkollari, doli nga dera e pasme e mjetit, krahu pas shoferit, dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të Policisë, Altin Dizdari.

Nga shkëmbimi i zjarrit, pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja, ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari si dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin. Pasi ka kryer këto veprime, personi që doli nga makina vazhdoi rrugën në drejtim të plazhit me një çantë që kishte krahëqafë.

Me pistoletën që mbante në dorë ka qëlluar dy herë në drejtim të Petrit Sulkës, i cili kishte mbetur i rrëzuar në mesin e rrugës për në plazh, në momentin që po përleshej me personin që arriti të largohej. Dritan Dajti, është arrestuar disa minuta më vonë i plagosur, ndërsa gjatë procesit ai është shprehur se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.


Shtuar 24.06.2024 12:18