Gjiknuri lavdëron Ramën për vaksinat: Opozita po bën politikën e korbave (VIDEO)

Ditën e sotme deputeti Damian Gjiknuri teksa ka takuar nga afër banorët e Zvërnecit, premtoi investime të shumta për mandatin e tretë.

Gjithashtu, Gjiknuri u ndal në situatën aktuale në vend teksa ka nisur vaksinimi masiv i qytetarëve në betejën më koronavirusin.

Sipas Gjiknurit, fushata e vaksinimit po ecën me shpejtësi ndërsa opozita fatkeqësisht po bën politikën e korbave. Ata që deri dje thonin pse nuk ka vaksina, sot thonë pse i keni kineze! Nuk ka kohë për të humbur!“Shikoni çfarë thonë tani, thonë pse mori Edi Rama vaksina kineze. Deri dje thonin pse ska vaksina, tani thonë po pse i ka kineze. Këta janë politika e korbave, mundësisht duan që populli të vuajë e të vdesë, mjafton që  këta të thonë e ka fajin qeveria! Edi Rama ka bërë më shumë se sa mund të bënte një tjetër. Për vaksinat ju e shikoni se ka shumë shtete të tjera që akoma nuk i kanë siguruar. Kjo është një arritje në një kohë krize, si mund tia mohojmë ne këtë?”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri theksoi se ky mandat i tretë qeverisës për Partinë Socialiste është mandati ku synohet të shtrihen investimet në zona rurale, me vëmendje të veçantë në infrastrukturë.

Duke ju referuar dy mandateve të para, Gjiknuri pohoi se janë fakte të pamohueshme të gjitha investimet rrënjësorë që i kthyen Vlorës identitetin, duke e bërë një pol të rëndësishëm investimesh në vend.

“Kryeministri Rama e mbajti premtimin duke e transformuar tërësisht Vlorën. I dhamë rezultatet e para të qeverisjes me qytetarët dhe për qytetarët, tani me të drejtë kërkojmë mandatin e tretë, për të vijuar gjithçka të nisur, në mënyrë që treni i zhvillimit të mos kthehet pas. Ky tren rrezikon të kthehet mbrapsht nga ata që tani kanë hapur thesin e premtimeve madhore, kur në fakt Vlorën nuk e kanë patur asnjëherë në vëmendje. Pasi vërtetuam me punë konkrete se ne jemi e vetmja alternativë që mendojmë dhe punojmë për njerëzit, e duam këtë mandat të tretë për t’i shtrirë projektet edhe në zonat rurale, në ato më periferike e për të implementuar atje projekte madhore njësoj siç bëmë me Vlorën”, theksoi Gjiknuri.

Më tej ai paralajmëroi banorët për rrezikun e ngecjes së investimeve nëse në pushtet vjen opozita. “Në Vlorë bëri punë dhe po bën punë vetëm Edi Rama. Po erdhi në pushtet Partia Demokrtike, gjithçka e nisur do të kthehet në regres, do të kthehemi në kohën kur Vlora ishte lënë në harresë. Projekti madhor i aeroportit të Vlorës do të sjellë investime të shumta duke nxitur sektorin e punësimit për të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Trashëguam një situatë të lënë në mëshirë të fatit edhe në drejtim të legalizimeve ndërsa tanimë jemi në rrugë të mbarë duke i kthyer pronën kujdo konform ligjit”, sqaroi Gjiknuri.

Sipas tij, zona e Zvërnecit për vet potencialin turistik dhe ekonomik që ofron do të jetë në fokus të investimeve. “Ashtu siç u investua në drejtim të energjitikës është parashikuar dhe projekti i ujësjellësit që do t’i japë zgjidhje përfundimtare problemit të mungesës së ujit të pijshëm, një problematikë e mbartur ndër vite”, tha Gjiknuri.


Shtuar 31.03.2021 10:53