Gjermania do të vendosë kufizime më të forta për personat e pavaksinuar

Gjermania do të vendosë kufizime më të rrepta për njerëzit që nuk janë vaksinuar kundër Covid-19, pasi rastet në vend arritën një rekord të lartë.

Kufizimet për njerëzit e pavaksinuar do të futen në fuqi në zonat ku pranimet në spital tejkalojnë një prag të caktuar, ranë dakord kancelarja Angela Merkel dhe udhëheqësit e 16 shteteve të Gjermanisë.

Sipas rregullave, të pavaksinuarit do të përjashtohen nga vende të caktuara.

Merkel e përshkroi situatën me Covid në vend si “dramatike”.

“Ne duhet të vendosim shpejt një frenim në rritjen eksponenciale” në raste dhe zënien e njësive të kujdesit intensiv, tha ajo.

Numri i rasteve ditore në Gjermani u rrit ndjeshëm të enjten në më shumë se 65,000, deri tani shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë.

Rregullat e reja, të miratuara në një takim krize, nënkuptojnë se në zonat me një shkallë shtrimi në spital prej më shumë se tre pacientësh Covid për 100,000 njerëz gjatë shtatë ditëve të fundit, vetëm të vaksinuarit dhe ata që janë shëruar nga virusi do të lejohen të hyjnë në hapësira publike si ngjarje sportive, shfaqje kulturore dhe restorante.

Shumica e shteteve të vendit aktualisht e kalojnë këtë prag.

Merkel dhe liderët e tjerë ranë dakord gjithashtu të enjten që punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe shtëpive të kujdesit duhet të vaksinohen për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Njoftimi i tyre erdhi pasi dhoma e ulët e parlamentit të Gjermanisë votoi në favor të një grupi të ri masash Covid, duke përfshirë kufizimin e aksesit në transportin publik dhe vendin e punës vetëm për njerëzit që janë vaksinuar ose testuar.

Këto masa ende duhet të miratohen nga dhoma e lartë e parlamentit të premten dhe disa politikanë konservatorë kanë kërcënuar se do të bllokojnë projektligjin.

Gjermania nuk është vendi i parë evropian që vendos kufizime për personat që nuk janë vaksinuar kundër Covid.

Si Republika Çeke ashtu edhe Sllovakia njoftuan të enjten kufizime më të forta për njerëzit e pavaksinuar, në një përpjekje për të inkurajuar marrjen e vaksinave.

Edhe Austria në fillim të kësaj jave vendosi në izolim rreth dy milionë njerëz që nuk ishin vaksinuar plotësisht kundër Covid-19./albeu.com

 


Shtuar 18.11.2021 20:58