Gjendet i djegur në Kodrën e Diellit motori i autorit të vrasjes së Bujar Nasufit

Policia e Tiranës ka gjetur mesditën e sotme motorin e djegur të autorit të vrasjes së Bujar Nasufit, i cili u qëllua disa herë me armë zjarri teksa ndodhej në makinë.

Bëhet me dije se motori është gjetur i shkrumbuar në zonën e Kodrës së Diellit.

Tashmë është duke iu nënshtruar një ekspertize të thelluar nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në afërsi të banesës së Bujar Nasufit në vendin e quajtur “Pallati me Shigjeta” në Tiranë.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë, vrasësi ka dyshime se e ka pritur viktimën në afërsi të banesës së tij, në momentin që 56-vjeçari është kthyer në shtëpi së bashku me bashkëshorten e tij.

Burime bëjnë me dije se autori i është afruar viktimës sapo ai është ndarë nga gruaja e tij, e cila ka zbritur nga makina dhe i është drejtuar banesës pak metra larg vendit ku ndodhi ngjarja, në rrugën “Myrte Zeneli”.


Shtuar 13.01.2025 17:29