Gazetarët tregojnë dhunën nga talebanët: Më vuri këmbën në kokë dhe më shtypi fytyrën në beton (FOTO LAJM)

Talebanët vijojnë dhunën ndaj opozitarëve dhe gazetarëve që ndodhen ende në vend, edhe pas premtimit se do të qeverisnin në mënyrë të drejtë.

Disa prej gazetarëve të mbetur në Afganistan kanë deklaruar se janë rrahur me kamxhik nga talebanët, kur u përpoqën të pasqyronin protestat në vend.

BBC sjell pamjet e dy gazetarëve, nga gazeta Etilaatroz, me mavijosje dhe shenja të dukshme dhune në trup.

Fotografi, Nematullah Naqdi dhe gazetari Taqi Daryabi janë arrestuar të mërkurën dhe janë torturuar. Ata thonë se janë dërguar në një rajon policor dhe janë goditur nga efektivët me kabllo elektrike, kamxhik e shkopinj, e pas disa orësh torture e pyetje nga talebanët janë liruar.

“Njëri prej talebanëve më vuri këmbën në kokë, më shtypi fytyrën ndaj betonit. Më goditën në kokë…. Mendova se do të më vrisnin. I pyeta ‘përse po na rrihni, e m’u përgjigj, ‘je me fat që s’të kemi prerë kokën”, tha Naqdi për agjencinë e lajmeve AFP.

Për të ndaluar protestat talebanët kanë përdorur të gjitha format e dhunës, e madje, ndëshkimet nuk i kanë kursyer as ndaj grave./albeu.com