Gazeta kroate: Shoferi i lodhur i çoi drejt vdekjes në vend të atdheut

Gazeta më e madhe kroate është hapur me lajmin tragjik të vdekjes së 10 pasagjerëve nga Kosova, të cilët do të shkonin drejt vendlindjes.

Titulli që zgjodhi gazeta “Jutarnji List” është “Shoferi i lodhur i çoi në vdekje në vend të atdheut”.

Kjo niset nga dëshmia që dha shoferi rezervë, i cili pranoi në polici se e kishte zënë gjumi për një moment, edhe pse kishte vetëm 30 minuta që e kishte marrë në dorëzim mjetin.

10 nuk mundën dot të shkonin në shtëpinë e tyre të takonin me të afërmit, ndërsa dhjetëra të tjerë janë në spital ku po marrin kujdesin e duhur mjekësor.

Autobusi i linjës Franfkurt-Prishtinë humbi kontrollin një ditë më parë, pasi shoferi ishte i përgjumur.

Sipas Drejtoreshës së Institutit të Mjekësisë Urgjente, Maja Grba Bujeviq 42 persona ndodhen në Spitalin e Përgjithshëm në Slavonski Brod.

“Dy prej tyre janë në kujdes intensiv dhe pesë njerëz u operuan gjatë ditës. Një person është në Klinikën e Traumatologjisë në Zagreb,” tha Bujeviq, duke shtuar se dy persona në njësinë e kujdesit intensiv janë në rrezik.

“14 persona kanë lëndime serioze, të tjerët nuk janë lëndime serioze dhe ata planifikohen të lirohen nga spitali nesër dhe pasnesër”, tha Bujeviq.

Sipas saj, 15 persona nga autobusi janë vendosur në një konvikt jo shumë larg Slavonski Brod.

“Ne të gjithë kujdesemi për ta. Qeveria kroate i ka ofruar të gjithë ndihmën ambasadorit të Kosovës. Transporti po rregullohet gjithashtu pas daljes nga spitali, në varësi të ardhjes së familjeve të tyre, dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm atje”, tha Bujeviq.


Shtuar 26.07.2021 19:17