Gazeta gjermane: Mitsotakis nuk është aq demokrat sa duket, si po rrëshket Greqia drejt autoritarizmit

Nga Maximilian Popp “Der Spiegel

Miliona evropianë mundën të përjetojnë sërish këtë verë anën e këndshme të Greqisë: diellin, plazhet dhe mikpritjen. Për shumë arsye Greqia është një destinacion i preferuar për pushuesit në Evropë. Kjo gjë ndoshta ndihmon në shpjegimin e arsyes pse qeveritë në kryeqytetet e tjera evropiane, duken të lumtura teksa anashkalojnë aspektet më të pakëndshme të partnerit të tyre në Bashkimin Evropian.

Komisioni Evropian dhe gjykata të ndryshme janë fokusuar prej kohësh tek erozioni që ka pësuar demokracia në vendet anëtare si Hungaria dhe Polonia. Por deri më tani, askush në Bruksel, Berlin apo Paris nuk është dukur shumë i shqetësuar pse Greqia, nën udhëheqjen e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë drejt autokracisë.

Mitsotakis paraqitet në publik dhe media si një reformator liberal që ka përmirësuar perspektivat financiare dhe ekonomike të vendit të tij. Por ai nuk ka shumë qejf të flasë mbi shkeljet e panumërta ligjore që kanë konsumuar dhe konsumojnë nëpunësit civilë grekë në administratën e tij.

Sidomos në lidhje me politikën e emigracionit, qeveria greke e ka shfuqizuar në thelb ligjin ndërkombëtar dhe atë evropian. Gjatë 2 viteve të fundit, personeli grek i sigurisë ka kapur mijëra refugjatë duke i detyruar me dhunë që të rikthehen në Turqi.

Po ashtu ata i kanë përdorur si skllevër emigrantët e tjerë, për të ndihmuar në këto dëbime të paligjshme. Në raste të tjera, zyrtarët grekë i kanë çuar azilkërkuesit në det duke i braktisur atje mbi disa gomone plotësisht të pasigurta. Dhe thuajse asnjëherë asnjë zyrtar grek nuk detyrohet të japë llogari para ligjit për krimet e kryera në kufijtë e vendit.

Nga ana tjetër, ajo që ndodh shpesh, është se ata që dokumentojnë krime të tilla gjenden nën një presion shumë të madh. Për shembull organizata joqeveritare, JOSOOR, që është angazhuar prej 2 vitesh e gjysmë në ndihmë ndaj viktimave të dëbimeve të dhunshme në det, u detyrua së fundmi të pezullonte operacionet pas disa muajsh ngacmimesh dhe presionesh nga agjencitë greke.

Anëtarët e organizatave të tjera humanitare janë persekutuar si trafikantë emigrantësh. Ndërkohë gazetari i “Der Spigel”, Giorgos Christides, është sulmuar si një “agjent turk” në mediat pro-qeveritare greke. Sulmi erdhi pasi “Der Spiegel” publikoi një raport javën e kaluar në lidhje me zyrtarët grekë që refuzuan të ndihmonin një vajzë siriane 5-vjeçare që po vdiste në një ishull në lumin Evros.

Në vend të reagimit, qeveria greke sulmoi gazetarin Christidesin për përdorimin e metodave të paligjshme për të marrë kontakt me prindërit e viktimës. Është pikërisht kjo lloj zhvendosje e fajit, që është bërë një praktikë e zakonshme në Athinë. Greqia e sheh veten si vendlindja e demokracisë. Por Mitsotakis ka zgjedhur gjithnjë e më shumë metodat më të zakonshme të përdorura nga autokratët.

Ai dhe njerëzit e tij e kanë shndërruar gënjeshtrën në një shtyllë qendrore të strategjisë së tyre të lidershipit. “Der Spiegel” dhe media të tjera mediatike kanë përpiluar një listë të madhe provash mbi dëbimet e paligjshme të kryera nga Greqia. Agjencia evropiane kundër korrupsionit e ka konfirmuar vërtetësinë e këtyre raporteve.

E megjithatë qeveria greke vazhdon të këmbëngulë në mënyrë të turpshme se nuk po kryen asnjë gjë të tillë. Brukseli e ka toleruar për një kohë shumë të gjatë kursin antidemokratik të Mitsotakis, ndonjëherë edhe duke e mirëpritur atë. Në këtë mënyrë, Athina e ka degraduar themelin mbi të cilin zhvillohet diskursi i vërtetë demokratik.

Në Indeksin e Lirisë së Shtypit që përpilohet çdo vit nga organizata Reporterët pa Kufij, Greqia është sot në vendin e fundit midis vendeve anëtare të BE-së. Ndërkaq në një sondazh të kryer nga Reuters, vetëm 7 për qind e grekëve thonë se media në vendin e tyre është e lirë dhe e pavarur.

Njëkohësisht, nën udhëheqjen e Mitsotakis, Greqia është shndërruar në një shtet mbikëqyrës. Kohët e fundit, shefi i shërbimit sekret grek u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi u zbulua se një politikan kryesor i opozitës dhe një gazetar ishin nën vëzhgim nga agjencitë shtetërore. Shkalla në të cilën Mitsotakis mund të jetë përfshirë personalisht në këtë incident, nuk është sqaruar ende plotësisht.

Në radhë të parë i takon vetë votuesve grekë që të ndalin rrëshqitjen e vendit të tyre drejt autoritarizmit. Zgjedhjet në Greqi janë planifikuar të mbahen vitin e ardhshëm, dhe grekët do të kenë mundësinë të vendosin se në çfarë lloj vendi duan të jetojnë, dhe si duhet të jetë  politika e qeverisë së tyre mbi emigracionin.

Por edhe BE-ja ka një rol për të luajtur në këtë situatë. Brukseli e ka toleruar prej kohësh kursin antidemokratik të Mitsotakis, ndonjëherë edhe duke e mirëpritur atë. Gjatë një vizite

të kryer në vitin 2020 në lumin Evros, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen iu referua Greqisë si “mburoja e Evropës”.

Dhe vendet anëtare të BE-së shprehin fshehurazi gëzimin e tyre që rojet kufitare greke i kthejnë mbrapsht azilkërkuesit, pavarësisht se çfarë metodash përdorin ata. Kur Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock vizitoi Athinën në muajin korrik, ajo u bëri thirrje autoriteteve greke që të hedhin dritë mbi akuzat që bëhen në lidhje më këtë çështje.

Ajo dukej e vendosur, por thirrja ishte gjithsesi shumë e çuditshme. Pasi tek e fundit, faktet mbi abuzimet e shumta me emigrantët janë vërtetuar mirë dhe prej kohësh. Në rast se Bashkimi Evropian i merr seriozisht normat e veta,  është koha që të nisë vendosjen e sanksioneve kundër Greqisë për shkeljen e tyre. /abcnews.al