Gati ligji, kush lëshon banesa ose dyqane me qira do të paguajë taksë

Të gjithë ata që lëshojën apartamente apo vila me qira do duhet të regjistrohen pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe të pajisen me certifikatën e kategorizimit nga Ministria e Turizmit.

Të ardhurat e tyre nga aktiviteti do tatohen me 15% tatim fitim.

Qeveria ka nxjerrë për konsultim projektligjin e ri, që rregullon tregun e dhënies së shtëpive me qira. Tashmë struktura akomoduese do të quhen edhe 5 kategori të reja, ku përfshihen apartamentet, bllok apartamentesh, vilat, Hotel Trashëgimi Kulturore, Hotel i shpërndarë dhe Dhomë Standard.

Të dhënat tregojnë se janë rreth 14 mijë shtëpi të listuara në platformën AirBNB deri në majin e këtij viti që momentalisht nuk paguajnë asnjë taksë.

Sipas draftit të ri, çdo strukturë akomoduese gjatë ushtrimit të veprimtarisë ka detyrimin të kryejë regjistrimin elektronik të klientëve me të dhënat mbi numrin e vizitorëve, netëve të qëndrimit, shtetësinë, rezidencën, gjininë dhe moshën.

Ndërkohë, strukturat akomoduese do duhet tashmë të krijojnë edhe një ambient të veçuar për grumbullimin dhe largimin e mbetjeve sipas rregullave nga pushteti vendor.

Subjektet të cilat nuk zbatojnë ligjin do të dënohen me 20 deri në 50 mijë lekë për ata që kanë nga 1-5 dhoma. Deri në 15 dhoma ato do të gjobiten me 100 mijë lekë, mbi 16 dhoma me 200 mijë lekë e deri në 400 mijë lekë për më shumë.

Ligji vendos rregulla të reja për agroturizmet gjithashtu. Ato duhet të pajisen me certifikatë kategorizuese nga Ministria e Turizmit për ndërtimin dhe ushtrimin e veprimtarisë. Gjithashtu operatorët turistikë dhe udhërrëfyesit duhet të pajisen me licenca, përndryshe gjobat variojnë nga 100-300 mijë lekë./tch


Shtuar 3.10.2023 22:38