Ish presidenti amerikan Donald Trump zhvillon sot takimin e parë me mbështetësit e tij në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Ai do të ndalet sot në shtetin e Teksasit. Ditët e fundit zoti Trump është shprehur se ekziston mundësia se mund të arrestohet.
Prokuroria e Manhatanit po heton rolin ish presidentit mbi pagesën ndaj aktores së filmave për të rritur, Stormy Daniels në këmbim të heshtjes së saj.
Zoti Trump ka lëshuar akuza ndaj prokurorëve, duke deklaruar se hetimet janë të ndikuara si dhe ka bërë thirrje për protesta.
Vec hetimeve në Nju Jork, një juri e madhe federale në Uashington po heton çështjen e mbajtjes së dokumenteve sekrete nga zoti Trump pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021. Po ashtu, edhe në shtetin e Xhorxhias, po kryhen hetime ndaj ish presidentit mbi përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në atë shtet.