Funeral i Darya Dugina në Moskë, rusët kërkojnë hakmarrje, babai: Ta fitojmë luftën në emër të saj (VIDEO)

Është mbajtur sot në Moskë ceremonia mortore e vajzës së vrarë të një prej ideologëve më të shquar nacionalistë të Rusisë. Gazetarja 29-vjeçare ishte kthyer në “martire” të nacionalistëve rusë, që tani kërkojnë hakmarrje ndaj fqinjit të tyre.

“Çmimi më i lartë që dikush duhet të paguajë mund të shpaguhet vetëm me arritjen më të madhe; fitoren tonë. Ajo jetoi për këtë fitore dhe vdiq në emër të kësaj fitoreje, fitores së Rusisë, së besimit ortodoks, fitores së vendit tonë, të shtetit tonë”, tha Alexander Dugin, babai i Daria Dugina.

Shërbimi rus i sigurisë FSB ka akuzuar agjencitë e inteligjencës ukrainase se kanë urdhëruar vrasjen e saj, diçka që Kievi e mohon, raporton The Guardian.

Politikanë të lartë, kolegë nacionalistë dhe miq kaluan para arkivolit të errët prej druri të Duginës në një sallë në qendrën televizive të Moskës të martën në mëngjes për të thënë lamtumirë, për të vendosur lule dhe për të përcjellë ngushëllimet e tyre për prindërit e saj që ishin ulur aty pranë.

Shërbimet sekrete ruse kanë identifikuar një të dyshuar si autore të sulmit, një shtetase ukrainase që e ndoqi Daria Duginan për disa ditë para se të kryente sulmin dhe të largohej për në Estoni./albeu.com


Shtuar 23.08.2022 14:44