Prej muajsh, dhjetëra banesa në fshatin Synej të Kavajës kanë rënë pre e hajdutëve, duke rritur pasigurinë mes banorëve të cilët kërkojnë të armatosen për të mbrojtur pronën dhe jetën e tyre.
Ata po mendojnë dhe të organizohen në grupe për të patrulluar nëpër fshat gjatë orëve të natës, nëse agjencitë ligjzbatuese nuk do të jenë krah tyre.
“Këtu ke frikë të rrish në shtëpi. Të vjen hajduti, duhet të pajisemi me armë tani”, thotë një banor.
“Këta nuk i bëjnë publik. Policia vjen këtu dhe nuk thotë kush ishte”, shprehet një tjetër banor i zonës.
Luan Daiu këtë mesditë nxitoi të paraqitet pranë mjekut të familjes si pjesë e procedurës për t’u pajisur me armë gjahu. Jo për pasion, po për t’u ndjerë i sigurt në shtëpinë e tij.
“Të marrë lejen, të marr armën dhe mbi të gjithë të mbroj familjen time”, tregon ai.
Të kthyer nga emigracioni, këtë verë shumë banorë të Synejit i kanë gjetur shtëpitë e tyre të zbrazura nga hajdutët. Në shenjë proteste, të mërkurën ata bllokuan rrugët e fshatit, duke kërkuar marrjen e masave nga policia dhe kthimin e sigurisë në fshat.
“Unë them se mund të jenë mbi 100 shtëpi. Nuk janë vjedhur vetëm një herë. Marrin çfarë kanë për të marrë dhe shkojnë prapë”, shprehet banori, shkruan TCH.
Pre e vjedhjes janë kryesisht shtëpitë e emigrantëve, por jo vetëm. Tentativat për vjedhje kanë vijuar edhe këtë muaj.
Sipas banorëve, janë afro 300 shtëpi të vjedhura, ndërsa pranë policisë së Kavajës gjatë 8 muajve të këtij viti janë regjistruar vetëm 20 vjedhje të denoncuara në Synej, nga të cilat 11 raste janë zbardhur. 7 autorë të dyshuar të këtyre vjedhjeve janë arrestuar dhe një është shpallur në kërkim.
Banorët deklarojnë se kanë kontaktuar edhe me ministrin e Brendshëm dhe drejtues të policisë vendore të cilët u kanë premtuar kthimin e sigurisë në zonë. Gjatë natës së kaluar policia ka qenë e pranishme në zonë.