Eurodeputeti Fredi Beleri, në një reagim për agjencinë ndërkombëtare Associated Press, tha se zgjedhja e tij në Parlamentin Europian do e ndihmojë që të ekspozojë një problem të madh në Shqipëri, që është sundimi i ligjit.
“Unë e di se (zgjedhja ime) do të ndihmojë në vënien në qendër të vëmendjes mbi një problem madhor me të cilin përballet Shqipëria, që është shteti i së drejtës,” tha Beleri për Associated Press në një intervistë telefonike nga burgu.
“Këtu, gjyqësori është krahu i gjatë i politikës,” shtoi ai. “Unë mendoj se këto probleme duhet të vihen në pah – mungesa e respektit për të drejtat e pakicës etnike greke, siç është e drejta e pronës … dhe e drejta për t’u qeverisur nga njerëzit që ata zgjedhin”.
“Nuk kisha ndërmend të hyja në politikë në Greqi, ishte për shkak të nevojës për të nxjerrë në pah këtë problem të madh,” tha Beleri. “Kushdo që më njeh e di me siguri se do të preferoja të isha kryetar bashkie”.