Franca në këmbë kundër reformës së pensioneve, nuk ndalen protestat

Qindra mijëra njerëz demonstruan në gjithë Francën të shtunën në përpjekje për të vazhduar presionin ndaj qeverisë lidhur me planet e saj për reformën e pensioneve, që parashikon mes të tjerash rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64 vjeç.

Pas tre grevash mbarëkombëtare që nga fillimi i vitit, sindikatat shpresojnë të arrijnë një pjesëmarrje të ngjashme me atë të 19 janarit, kur më shumë se një milion njerëz marshuan për të kundërshtuar reformën.

Francezët kanë moshën më të re të daljes në pension mes vendeve të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim ekonomik dhe sipas sondazheve një shumicë e konsiderueshme e francezëve duan ta ruajnë këtë përfitim.

Presidenti Emmanuel Macron thotë se reforma është “jetike” për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve.

Sipas vlerësimeve fillestare të raportuara nga gazeta Le Figaro, në Paris pjesëmarrja në protestë ishte 20% më e lartë në krahasim me protestën e fundit të së martës.

Sindikatat shpresonin për një pjesëmarrje të madhe për protestat e para që mbahen në fundjavë që nga fillimi i lëvizjes. /VOA


Shtuar 11.02.2023 18:16