Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dhe 6 ministrat e ri, u betuan këtë të premte para Presidentit të Republikës dhe me dorën në Kushtetutë, për përmbushjen e detyrës së marrë përsipër.
Një moment ndryshe ofroi Erjona Ismaili, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, e cila në pallatin e Brigadave mbërrit me taksi, në një kohë kur Ora Neës ishte në transmetim direkt
Pas betimit që pasoi votëbesimin mes kaosit në Kuvend, zëvendës kryeministrja dhe 6 ministrat, 4 prej të cilëve i bashkohen qeverisë për herë të parë iu drejtuan Kryeministrisë.
Me mbledhjen e parë të qeverisë, nisën zyrtarisht detyrën Albana Koçiu si zëvendëskryeministre; Besfort Lamallari, ministër i Brendshëm; Toni Gogu, ministër i Drejtësisë; Ferit Hoxha ministër për Europën dhe Punët e Jashtme; Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë; Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes dhe Erjona Ismaili, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Shefi I diplomacisë shpalli prioritetin në reagimin e parë në rrjetet sociale
“Me përkushtim, përgjegjësi dhe besim në potencialin e vendit tonë, të udhëhequr nga parimi themelor – interesi ynë kombëtar – do të punojmë që Shqipëria të jetë gjithnjë e më e respektuar, më e dëgjuar dhe më e suksesshme, në hapësirën euroatlantike dhe arenën globale”, tha ai.
Ministri i ri i Mbrojtjes, po ashtu.
“Një përgjegjësi e madhe në shërbim të sigurisë kombëtare dhe të interesave të Republikws”.
Ndryshimet lanë jashtë qeverisë, Belinda Ballukun, Elisa Spiropalin dhe Pirro Vengun.
“Sot në tryezën e qeverisë së re”, shkroi kryeministri Edi Rama teksa ndau pamje nga mbledhja e qeverisë.
Anëtarët e rinj që iu bashkuan qeverisë në mbledhjen e sotme janë Albana Koçiu si zv/kryeministre, Ferit Hoxha si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Besfort Lamallari si ministër i Punëve të Brendshme, Ermal Nufi si ministër i Mbrojtjes, Toni Gogu si ministër i Drejtësisë, Enea Karakaçi si ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Erjona Ismaili si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Ndryshimet në kabinetin qeveritar u propozuan nga kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së në 26 shkurt.
Presidenti Begaj dekretoi më datë 4 mars ndryshimet në kabinetin qeveritar, të cilat u miratuan dje me shumicë votash nga Kuvendi.




