Që ku u artikulua kërkesa nga ambasadorja amerikane Yuri Kim për distancimin e PD nga Sali Berisha, deputetët demokratë dhe kryetari Basha e kaluan në heshtje deri një ditë para se të fillonte punimet Kuvendi i ri ku kryedemokrati njoftoi përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
I pyetur nëse kanë përgjegjësi edhe deputetët që e lanë Bashën vetëm në këtë vendimmarrje, Noka zbuloi për herë të parë në një intervistë se atyre u ishte kërkuar të heshtnin dhe ata i ishin bindur këtij urdhri me bindjen se do të gjendej një zgjidhje e pranueshme për të gjithë.
Noka: Ne na është kërkuar të heshtim se kryetari Basha do të gjente gjuhën bashkë me Sali Berishën për të zgjidhur këtë situatë. Unë kam kafshuar gjuhën dy muaj me idenë se i besova kryetari të partisë time se do ta zgjidhte. Cila është zgjidhja?
Ti futësh thikën partisë dhe ta ndash në dysh? Edhe sikur brenda PD Basha të ishte më i kuotuar se Berisha nuk mund ta bënte se përçahet. Ne të bashkuar dhe nuk ja dolëm. Aq më tepër që çdo sondazh, dhe Basha e di, e nxjerr Berishën sipër PD dhe zotin Basha poshtë PD. Si mundesh ti njeriun që ka mbështetjen më të madhe në parti ta pushkatosh politikisht, çfarë ke bërë, ke pushkatuar forcën tënde politike. /oranews