Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile pranë AKMC, gjatë orëve të fundit në vend janë regjistruar shtatë vatra zjarri. Prej tyre, pesë janë neutralizuar falë ndërhyrjes së menjëhershme, ndërsa dy vatra vijojnë të jenë aktive.
Përmes një angazhimi intensiv dhe të pandërprerë në terren, është bërë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e disa prej zjarreve, duke parandaluar përhapjen dhe rrezikun ndaj zonave të banuara.
Aktualisht, janë aktive vatrat në:
Qarku Vlorë
Në bashkinë Himarë, janë fikur vatrat në Porto Palermo dhe në Zonën Qafë Lerë – Llaman, ndërsa vatra në vendin e quajtur Vumlo në afërsi të fshatit Kudhës u izolua fillimisht, por për shkak të intensitetit të erës dhe nxehtësisë, zjarri është përhapur në një sipërfaqe ku është e vështirë ndërhyrja për shkak të terrenit të vështirë. Po punohet me mjete rrethanore dhe pompa shpine nga forca të MZSH, Shërbimi Pyjor dhe ndërmarrjes së shërbimeve të bashkisë. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qarku Kukës.
Në fshatin Kolsh, njësia administrative Mamëz, bashkia Kukës, po punohet për fikjen e zjarrit të rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, me 2 automjete zjarrfikëse me 10 efektivë, 1 fadromë, 1 ekskavator, 4 kamionë nga Drejtoria e Shërbimeve të Bashkisë.