Ditën e sotme është mbledhur Komiteti Drejtues Kombëtar i Partisë së Lirisë. Në fjalën e tij, Meta u shpreh se kjo qeveri po shpopullon vendin dhe se po financon fëmijët e zyrtarëve dhe oligarkëve e jo të rinjtë e talentuar.
“Ti jepet fund shpopullimit të vendit dhe kësaj qeverisje skizofrenike në nivel qëndron e lokal. Edhe sot dëshmoi me aktin e nisjes së punimeve për Teatrin se ka hedhur përfundimisht çdo normë kushtetuese dhe vetë vendimin e GJK për çështjen e teatrit në koshin e plehrave, në vend që të përfundojë vetë atje siç e meriton çdo regjim që kërkon të instalojë regjimin kriminal policor. Është kjo e vetmja rrugë për ti dhënë fund shpopullimit. Kohët e fundit u njohët edhe me skandalin e Ministrisë së Sipërmarrësve që financon fëmijët e oligarkëve dhe zyrtarëve por jo të rinjtë e talentet që paraqesin projekte për të çuar para teknologjinë. Lista e fituesve tregoi se edhe ato pak para që shkojnë për inovacionin, shkojnë për fëmijët e qeveritarëve e oligarkëve e jo për bizneset me ide të qartë start upi. Shkelet konkurrenca e demotivohen të rinjtë.
E njejta skemë është ndjekur edhe me fondet e shpërndara nga Bashkia Tiranë ndaj Organizatave të ndryshme me rastin e vitit të rinisë. Ndaj lufta ndaj korrupsionit mbetet një prioritet madhor i Partisë së Lirisë. Korrupsioni Skizofrenik i Rilindjes po varfëron çdo familje, po dëmton ëndrat çdo të riu, po mban në këmbë te keqen që po gërryen Shqipërinë. Fondi Monetar Ndërkombëtar, sikundër edhe opozita ka paralajmëruar më herët, ka ngritur së fundmi alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqet modeli ekonomik i Rilindjes për stabilitetin financiar të Shqipërisë. FMN njoftoi rrezikun që mbart modeli ekonomik i Rilindjes i bazuar në PPP. Një denoncim më të qartë për mungesën e transparencës së kësaj qeverie nuk ka. Rilindja është kaq e pashpirt sa mirëpret fatkeqësitë që ti shfrytëzojë”, tha Meta.
Meta tha se vendi është në nevojë urgjente për marrjen e masave për daljen nga lista gri e pastrimit të parave. Meta shtoi se tanimë IKMT është kthyer në kamxhikun ndëshkues të kryeministrit Rama, ndërsa tha më tej se ai ka instaluar kulturën e hajdutërisë në dogana dhe institucione të tjera pasi sipas tij korrupsioni është provuar me zë e figurë nga investigimet.
“Është nevojë urgjente marrja e masave për daljen nga lista gri për pastrimin e parave ku kullat në Tiranë janë kthyer në lavatriçen kryesore të pastrimit të parave të pista. Banditët e rilindjes nuk prisnin dot as të linin banorët te pallati te Myslym Keta dhe nuk pritën të merrnin një vendim gjykate. Horrave të bashkisë nuk u priste ora dhe e dinë që IKMT është kthyer në kamxhikun ndëshkues të Ramës dhe rilindjes ndaj të pambrojturve dhe të tjerëve. E kanë parë të gjithë se si Rama ka instaluar kulturën e hajdutërisë së pacipë në dogana e çdo institucion. Realiteti tregon qartë që kemi një drejtësi me regji ndërsa grabiten miliarda dhe pastrohen para sheshit në aferën e portit të Durrësit ndërsa inceneratorët gllabërojnë dhjetëra milionë euro. Sot nisën dhe punimet e teatrit në mënyrë të jashtëligjshme, po paguhen qindra miliona euro për arbitrazhet e humbura sepse Rama ka prishur kontratat. Korrupsioni i provuar me zë e figurë në dogana ku bëhet batërdia vazhdon i pa shqetësuar nga drejtësia, korrupsioni me energjinë vazhdon në kulmin e krizës, korrupsioni i provuar në ujësjellësa vazhdon dhe uji nuk vjen. Korrupsioni me gjoja investime strategjike është kudo sheshit ku oligarkët dhe Edi Rama vjedhin me qindra miliona euro, ndërsa justifikim për rritjen e çmimeve është lufta në Ukrainë, ku çmimi i naftës është më i lirë se këtu. Shqipëria është me e dështuar nga vendet e Evropës, kjo qeveria ka një administratë të paaftë, qeveria nuk i do projektet e BE-së sepse ato kanë rregulla dhe procedura transparente. Ato kanë edhe monitorim, kjo është arsyeja që refuzohen shumë fonde e projekte nga BE në mënyrë që rilindja me borxhet që merr të bëjë autostrada me kilometër 20 milionë euro”, tha ai.