Vendi ynë është tronditur nga ngjarja e rëndë në Velipojë, ku katër persona vdiqën e dy të tjerë u plagosën pas një sherri për shezlona.
Ndër viktimat, ai dhe më i pafajshmi ishte pikërisht 20 vjeçari Musaen Zeneli i cili kishte qenë në ditën e parë të punës.
Miq, familjarë, të njohur e të panjohur të viktimës kanë shprehur dhimbjen e tyre në rrjetet sociale, pas vrasjes së 20-vjeçarit, Musaen Zeneli.
Me hidhërim të madh, ata shkruajnë se i riu u vra nga dora e horrave dhe se rrogën e tij mujore e kishte aq sa kushtonin vetëm 10 plumba të atyre që qëlluan në mesnatë.
Qytetarët janë të indinjuar për 20-vjeçarin që vdiq sapo mbylli ditën e parë të punës, me vetëm 30 lekë në xhep që mund të ishin bakshishi i një dite të gjatë e plot lodhje.
“Prehu ne Paqe Musaen Zeneli, atje lart do jete me mire per ty. Allahu e mëshiroftë,”- shkruan dikush në rrjetet sociale.
“Musaen Zeneli, kamarieri jetim që u vra mbrëmë barbarisht prej dorës gjakatare të horrave, e kishte rrogën mujore aq sa kushtojnë 10 plumba të kriminelëve të cilëve nuk u kontrollohen kurrë shtëpitë dhe bizneset,”- shton dikush më tej.
“Djaloshi 20 vjeçar qe u vra aksidentalisht nje dite më parë ishte besimtar praktikant. Allahu e falte dhe e meshirofte!”– shton dhe një tjetër.
“Me hillerim te thelle ndaj me ju lajmin e hidhur te vdekjes se nxenesit tone Musaen Zeneli. Allahu e paste meshiru dhe i paste dhene gradat e shehidit. Ne diten e pare te punes pa i pas hak as hile kerrkujt paska ka kene rrisku i tij. Allahu i dhente saber nanes se tij dhe Familjareve,”- shkruan dhe dikush më tej.
Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç u vranë mbrëmë në Velipojë, ndërkohë që vëllai i Kujtim Ferracakut, 54-vjeçari Hasan Ferracaku dhe nipi i tij 17-vjeçar Elmilind Dyli, janë plagosur dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.
Sherri nisi për shezlonget e hotelit, ndërsa kameriari u vra vetëm se rastisi në vendin e gabuar.