“Fasada” sekuestron 3.5 milionë euro pasuri në Elbasan, kujt i përkisnin

Prokuroria Elbasan sekuestron pasuritë e dyshuara të përfituara nga të ardhurat e veprimtarisë kriminale që i përkasin 3 vëllezërve Albert, Gentian, Bashkim (Topuzi), të dënuar më parë jashtë.

Bëhet fjalë për pasuri me vlerë rreth 3.5 milionë euro, që përfshin asete të shumta.

Njoftimi i Policisë:

Vendoset sekuestro preventive ndaj pasurive me vlerë rreth 3.5 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktivitete kriminale.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fasada”.

Operacioni, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan.

Vendoset sekuestro preventive mbi disa pasuri me vlerë rreth 3.5 milionë euro, që dyshohet se rrjedhin nga veprimtaritë kriminale të një 46-vjeçari.

Nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore të kryer për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme si rrjedhojë e veprimtarive kriminale, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Fasada”.

Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, e cila bazuar në provat e grumbulluara gjatë hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria, ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të shtetasit A. T., 46 vjeç, banues në Elbasan.

Shtetasi A. T. është autor i dyshuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarive kriminale”, pasi më parë ka qënë i arrestuar në Itali, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në rrethana rënduese.

Në zbatim të vendimit të gjykatës u bë i mundur sekuestrimi i pasurive të ndryshme, me vlerë rreth 3.5 milionë euro. Konkretisht janë sekuestruar: një ndërtesë trekatëshe, një ndërtesë dykatëshe, 3 apartamente, disa automjete të llojeve të ndryshme, 4 sipërfaqe ndërtimi dhe një aktivitet tregtar (biznes) me objekt prodhimin e betonit.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera të përfituara në mënyrë të kundërligjshme, që ky shtetas dhe familjarët e tij mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

NJOFTIMI I PROKURORISË
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan njofton se në kuadër të procedimit penal nr.1687, viti 2018, që bën fjalë për veprën penale të “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, është ekzekutuar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për vendosjen e masës së sekuestros preventive mbi disa pasuri të ndodhura në qytetin e Elbasanit, të dyshuara si të përftuara mbi bazën e të ardhurave të siguruara nga veprimtaria kriminale.

Njoftimi i Prokurorisë:

Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan me vendimin Nr.746 (60614-02754-13), datë 03.10.2022, ka vendosur:

•Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

•Vendosjen e masës së sigurimit “Sekuestros preventive” mbi objektet:

1.Pasuria nr.22/25 trual + ndërtesë 2 kate (godinë shërbimi), përfituar me leje legalizimi në vitin 2013;

2.Pasuria nr.429/11 vol 19 faqe 92, ZK 8526 e llojit truall që disponohet nga shtetasi A.T;

3.Pasuria nr. 4/611+1-29 vol 23 faqe 20, Zk 8524, sipërfaqe 109 m2, vlera 5,354,080 lekë përfituar me kontratë shitblerje në datë 22.08.2012;

4.Pasuria 22/23 ZK 8526, godinë banimi 1 kat, përfituar me leje legalizimi në vitin 2013;

5.Pasuria nr.429/13 vol 19 faqe 94, ZK 8526 e llojit truall që disponohet nga shtetasi G.T;

6.Pasuria nr.5/289 ZK 8524, e llojit ndërtese 3 kate + bodrum + nënçati, me sipërfaqe 241,8 m2 truall, nga kjo ndërtesë : kati përdhe sip.153,8 m2, kati bodrumit me sip 151.4 m2, kati i parë me sip 164.5 m2, kati dytë me sip 164.5m2, sip. e nënçatisë 140+24.1 m2;

7.Pasuri nr.22/24 ZK 8526, godinë banimi 1 kat 60 m2, përfituar me leje legalizmi në vitin 2013;

8.Pasuria nr.429/12 vol 19 faqe 93, ZK 8526 e llojit truall;

9.Pasuria nr.5/149+1-21, vol 6 faqe, 136 ZK 8524 e llojit apartament në bashkëpronësi mes G.T dhe A.T, përfituar nga privatizimi që disponohen nga shtetasi B.T;

10.Automjetet me targë AA 3.. CD, AV 2.., AA 1.. YN, AA 4.. DA në pronësi të shtetasit B.T; dhe

11.Automjeti me targë automjetin me targë AA 6.. RM në pronësi të shtetasit G.T./albeu.com/