Në një komunikatë për shtyp, Aleanca për Shqiptarët thekson se vizita e sotme e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup e bëri edhe më të dukshme atë që kjo parti e kishte thënë edhe para mbërritjes së saj. Sipas ASH-së, momenti aktual duhet shfrytëzuar dhe shteti duhet të ecë para.
Të lidhura
None found
Nga kjo parti vlerësojnë se mesazhi i ardhur sot nga Brukseli ishte i qartë dhe konkret. Për hapjen e klasterit të parë negociator, sipas tyre, ka mbetur vetëm një hap kyç: çbllokimi i rrugës eurointegruese me anë të ndryshimeve kushtetuese. Pas zgjidhjes së këtij ngërçi, vendi do të përfitojë edhe planin e veprimit për fazën tjetër. Kështu, ASH-ja nënvizon se zgjidhja ekziston dhe mungon vetëm vullneti politik.
Në komunikatë theksohet gjithashtu se vendet fqinje po përparojnë, duke hapur dhe mbyllur kapituj dhe duke vendosur afate gjithnjë e më të qarta për rrugën e tyre drejt BE-së. Procesi i zgjerimit është në lëvizje dhe Maqedonia e Veriut, sipas ASH-së, nuk mund të mbetet jashtë këtij momentumi.
Pas vizitës së sotme, Aleanca për Shqiptarët vlerëson se nuk ka më vend për humbje kohe. Dialogu duhet të vazhdojë, çështjet e hapura të zgjidhen dhe obligimet e marra të trajtohen me përgjegjësi politike dhe institucionale. Edhe pse është pozitive që dialogu me vendet fqinje po ecën, ai duhet të japë rezultat, jo të krijojë një cikël të ri pritjeje. Sipas tyre, qytetarët e këtij shteti kanë pritur mjaftueshëm.
Nëse pas zhbllokimit vërtet pret një plan i qartë veprimi dhe një fazë e re e bisedimeve, atëherë përparësia kryesore duhet të jetë pikërisht zhbllokimi i procesit. Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë për një vit tjetër të humbur, por për vendime, reforma dhe një perspektivë evropiane që më në fund të shndërrohet në realitet, përfundon ASH-ja.
