Në një reagim në rrjete sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me kontrollet që po ushtron SPAK, me vendim të GJKKO, ndaj banesës dhe zyrave të Ron Yeffet dhe personave të tjerë të lidhur me kompaninë KAYO, pas publikimit të audiopërgjimeve për trafik armësh.
Tabaku thekson se personat e përfshirë në industrinë e armëve me fonde publike, pa garë dhe transparencë, duhet të hetohet deri në fund, ndërsa shton se nuk bëhet fjalë vetëm për vjedhjen e parave të fondeve publike, por edhe për cënimin e sigurisë kombëtare.
Të lidhura
None found
“Çdo person që është përfshirë në industrinë e armëve me fonde publike, pa garë dhe pa transparencë, duhet të hetohet deri në fund. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen, nuk rrezikohen vetëm paratë e shqiptarëve, por edhe siguria kombëtare e një vendi anëtar të NATO-s”, shprehet ajo.
Më tej, ajo shpreh shqetësimet edhe për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, pasi sipas saj, rrezikon që SPAK-ut t’i kufizohet mundësia për të kontrolluar, hetuar dhe çuar përpara drejtësisë raste të tilla.
REAGIMI I PLOTE:
Sot ka një lajm të mirë: SPAK ka nisur kontrolle në banesat dhe bizneset e personave të lidhur me KAYO-n dhe Ron Yeffet-in.
Çdo person që është përfshirë në industrinë e armëve me fonde publike, pa garë dhe pa transparencë, duhet të hetohet deri në fund. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen, nuk rrezikohen vetëm paratë e shqiptarëve, por edhe siguria kombëtare e një vendi anëtar të NATO-s.
Pak ditë më parë mora një shkresë nga KAYO, e cila nuk i dha përgjigje asnjërës prej pyetjeve të ngritura. Tashmë i kam drejtuar një kërkesë tjetër zyrtare: çfarë kontrollesh sigurie ka kryer kompania shtetërore përpara se të pranonte një ofertë të pakërkuar nga Ron Yeffet?
Një person i lidhur me qeverinë nuk mund të marrë çelësat e industrisë së armëve dhe 34 milionë euro nga buxheti i shtetit, pa garë, pa transparencë dhe pa prodhuar asgjë, e më pas të mbetet jashtë çdo kontrolli.
Prandaj janë shumë shqetësuese ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale. Nëse SPAK-ut i kufizohet mundësia për të kontrolluar, hetuar dhe çuar përpara drejtësisë raste të tilla, atëherë nuk kemi reformë, por mbrojtje politike për korrupsionin.
Ky sistem e ka gërryer Shqipërinë. Ka ndërtuar një shtet të padrejtë për shumicën dhe një shtet privilegjesh për oborrin e Kryeministrit.
Kjo është qeveria e pakicës, ku jo të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Ne kërkojmë transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi deri në fund.
