Familjet që përfitojnë/ Kompensim 100 % financiar për pronat, ja vendimet e miratuara nga ATP

Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), ka publikuar emrat e familjeve që do të marrin kompensimin 100 % financiar lidhur me pronat, pasi ka përfunduar shqyrtimi administrativ.

Në një njoftim zyrtar, ATP bën të ditur se ka përfunduar procesin e shqyrtimit administrativ të disa aplikimeve për kompensim 100% financiar, si dhe me kërkesë të veçantë, të paraqitura nga subjektet e interesuar, të cilët disponojnë vendime përfundimtare që u kanë njohur të drejtën e kompensimit të pronës.

Sipas ATP, ka përfunduar shqyrtimi administrativ i 11 (njëmbëdhjetë) aplikimeve për kompensim, nga të cilat:

Për 6 (gjashtë) aplikime për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në nenin 17, pika 2, të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, në Kreun IV të VKM nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.

Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 6 (gjashtë) aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 19 546 566.8 (nëntëmbëdhjetë milion e pesëqind e dyzet e gjashtë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë pike tetë) lekë, të cilat do të lëvrohen menjëherë në llogaritë bankare të subjekteve përfitues si këst i pare, ndërsa pjesa tjetër do të lëvrohet me këste çdo fillim viti buxhetor, bazuar në mënyrën e përfitimit të kompensimit, për të cilën kanë aplikuar subjektet.

Njëkohësisht bëjmë me dije se, nga përfundimi i trajtimit të këtyre 6 (gjashtë) aplikimeve për kompensim financiar me kërkesë të veçantë, Buxhetit të Shtetit i kursehet në total një fond në vlerën 184 209 615.5 (njëqind e tetëdhjetë e katër milion e dyqind e nëntë mijë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë pikë pesë) lekë.

Për 4 (katër) aplikime për kompensim 100% financiar, ATP ka miratuar me vendim pranimin e këtyre kërkesave/aplikimeve, pasi kanë rezultuar të jenë në përputhje të plotë me kriteret e përcaktuara në kërkesat e ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, dhe kriteret e përcaktuara në Kreun III, pikat 16/6 gërma “c”, 16/7 dhe 21/1 të VKM nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar.

Fondi financiar, i vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që ATP do të shpërndajë në total për subjektet përfitues të 4 (katër) aplikimeve sipas kërkesave të tyre, është në vlerën 2 932 166 (dy milion e nëntëqind e tridhjetë e dy mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë, të cilat do të lëvrohen menjëherë në llogaritë bankare të subjekteve përfitues.

Për 1 (një) aplikim ATP, ka dalë me vendim për “Përfundimin e procedimit administrativ“ referuar kërkesave të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar dhe VKM nr. 223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, të ndryshuar

Procesi i shqyrtimit administrativ të këtyre kërkesave/aplikimeve, bazohet në nenin 26, pika të ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” të ndryshuar,” si dhe në nenet 90-95 të Kreut të XI të Ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.


Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se kësti përkatës për secilin përfitues do të jetë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim.



Shtuar 30.09.2024 10:52