Familja Kola u shua në Itali, mblidhen 75 mijë euro për kthimin e 4 trupave në Shqipëri dhe shpenzimet e funeralit

Fushata e solidaritetit është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, një nga viktimat e tragjedisë.

Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore, ndërsa shuma që do të mbetet do t’u shërbejë familjarëve të viktimave.

Ngjarja e rëndë i mori jetën Arti Kolës, bashkëshortes së tij Jonida, 43-vjeçe, si dhe dy fëmijëve të tyre Hadjarit, 22-vjeç, dhe Xhesikës, 15-vjeçe.

Të katërt humbën jetën nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga kaldaja e gazit e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.

Dhjetëra donatorë kanë kontribuar me shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro.

Hetimet

Prokuroria e Luccas ka hapur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar përgjegjësitë e mundshme.

Kaldaja rezulton të ketë qenë e re dhe dyshohet se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.

Pritet rezultati i analizave toksikologjike për katër viktimat, i cili pritet të jetë vendimtar për vijimin e hetimeve.

Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri, për t’u përcjellë në banesën e fundit, duke i dhënë fund në mënyrën më të dhimbshme historisë së një familjeje që kishte ndërtuar jetën e saj në Itali me punë dhe sakrifica.


Shtuar 9.02.2026 09:37