Shefi i diplomacisë i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka pritur sot në një takim zëvendëskryeministren dhe ministres së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.
Pas takimit ata mbajtën një konferencë për shtyp ku Osmani u shpreh se ata janë në një mendim që Maqedonia e Veriut deri në vitin 2030 mund të bëhet anëtare e plotë në Bashkimin Evropian.
“Nuk është vetëm pikëpamja ime, por është pikëpamje dhe perspektivë që e ndajnë më shumë persona, më shumë njerëz që vlerësojnë se viti 2030 mund të jetë ai vit, nëse arrijmë konsensus politik dhe vazhdojmë pa ndërprerje në aktivitetet diplomatike, konstatimi i përgjithshëm është se viti 2030 realisht mund të jetë vit i anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, tha mes tjerash Osmani.
Më 19 korrik në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare me Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Tashmë Shqipëria dhe RMV zyrtarisht kanë çelur negociatat me BE. Hapja e negociatave do të thotë një proces teknik që nis me kontrollin e plotë të administratës shtetërore shqiptare dhe të gjithë legjislacionit shqiptar që të përafrohet me legjislacionin e Bashkimit Europian.