Eurostat: Net-qëndrimet e turistëve në Shqipëri u afrohen niveleve të para krizës,

Turizmi po i rikthehet gradualisht niveleve të para krizës në të gjithë Europën, ndonëse nuk i ka arritur ende nivelet e 2019-s.

Eurostat raportoi se në Shqipëri, për 6-mujorin e parë të vitit, u regjistruan gjithsej 719 mijë net qëndrime, më se dyfishi në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur vendi po vuante pasojat e pandemisë.

Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, net-qëndrimet për 6-mujorin e parë mbeten gati 11% më të ulëta. Megjithatë maji dhe qershori ishin më pozitivë, duke rezultuar rreth 8% më pak sesa nivelet e parakrizës.

Për shkak të hapjes së shpejtë të vendit dhe lehtësimit të masave, turizmi në vend rezulton më pak i goditur se në vendet e tjera të rajonit dhe me mesataren e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, net-qëndrimet e turistëve në Maqedoninë e Veriut për 6-mujorin e parë të vitit ishin 57% më të ulëta në krahasim me janar-qershor të 2019-s. Për Serbinë, shifra në të njëjtën periudhë është 31% më pak dhe për Turqinë 42% më pak sesa parakriza. Të dhënat për Kosovën dhe Malin e Zi nuk janë të plota.

Për 27 vendet e Bashkimit Europian, net-qëndrimet në akomodimet turistike në 6-mujorin e parë 2021 ishin gati 70% më të ulëta në krahasim me janar-qershor të 2019-s. Tkurrja më e lartë nga vendet e BE-së, me më shumë se 50%  u shënua në  Bullgari, Gjermani, Danimarkë.

Suedia, Norvegjia, Islanda, Mbretëria e Bashkuar raportuan rënie më të ulët se 50%. Net-qëndrimet në Itali u tkurrën me 68% në raport me parakrizën, sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor.

Turizmi në të gjithë botën ishte më i godituri nga pandemia, megjithatë Eurostat raportoi se ka pasur shenja rigjallërimi në verën e vitit 2021 në shtetet e Bashkimit Europian. Gushti 2021 tregoi shenjat më premtuese të rimëkëmbjes në raport me shifrat para COVID-it për sa i përket numrit të netëve të kaluara në institucionet e akomodimit turistik në BE, të tilla si hotele, njësi pushimi dhe akomodime të tjera me qëndrim të shkurtër, dhe kampingje.

Gushti 2021 regjistroi një rënie prej 20% në krahasim me gushtin 2019, ndërsa gushti 2020 kishte një rënie prej 30% në krahasim me gushtin 2019. Këto shenja rimëkëmbjeje u panë edhe në korrik (-29% në 2021; -40% në 2020) dhe në qershor (-51%; -70%).

Në anën tjetër, gjatë vitit 2021, prilli shënoi rënien më të madhe të numrit të netëve të kaluara në akomodim turistik (-81% krahasuar me prillin 2019). Sidoqoftë, prilli 2020 kishte parë një rënie prej 95% në krahasim me prillin 2019.

Gjatë tre muajve të verës, nga qershori deri në gusht 2021, 856 milionë netë u shpenzuan në akomodimet turistike të BE-së, një rënie prej 31% krahasuar me verën para COVID-19 të vitit 2019. Numri i netëve të kaluara në objektet e akomodimit turistik ra në të gjithë anëtarët Shtetet në korrik-gusht 2021, krahasuar me 2019, duke filluar nga -48% në Greqi në -5% në Holandë. Rënia ishte më shumë se 25% për 10 nga 24 Shtetet Anëtare me të dhëna të disponueshme.

Krahasuar me vitin 2020, megjithatë, numri i netëve të kaluara në objektet e akomodimit turistik në qershor-gusht 2021 u rrit pothuajse në të gjitha Shtetet Anëtare me të dhëna të disponueshme. Vetëm Letonia ka shënuar rënie (-16%)./Monitor


Shtuar 16.11.2021 07:26