Escobar: Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë potencial të shndërrohen në konflikt rajonal

I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, kanë “potencial të shndërrohen në konflikt rajonal”.

Këto deklarata ai i bëri në një debat të zhvilluar nga Këshilli i Atlantikut në Uashington, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ndërkaq, Lajçak tha se prioriteti i parë është shtensionimi i situatës, “t’i largojmë njerëzit nga rruga dhe t’i kthehemi dialogut”.

“Nëse nuk arrijmë ta shtensionojmë [situatën], do të kemi viktima”, tha ai.

Sa i përket tre policëve të Kosovës, që gjenden në paraburgim në Serbi, Escobar tha edhe nëse ata janë rrëmbyer apo kanë hyrë gabimisht në territorin serb, ata duhet të lirohen menjëherë, shkruan REL. Këtë qëndrim e përkrahi edhe Lajçaku.

Lajçak tha se takimi për menaxhimin e krizave në Bruksel do të mbahet, pavarësisht deklaratave të liderëve të Kosovës dhe Serbisë. “Nëse do të refuzohej do të kishte pasoja serioze dhe negative”, tha ai, duke shtuar se takimi – që sipas tij do të mbahet shumë shpejt – do të fokusohet vetëm në menaxhimin e krizës aktuale./Albeu.com/