I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë, është çështje javësh dhe jo vitesh. Në një intervistë për median kosovare Kanal10, Escobar tha se u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesve të vendosin afatet kohore.
“Unë i kam dëgjuar kolegët e mi evropianë të flasin se kjo është çështje javësh dhe jo vitesh. Për një marrëveshje, për rrugën përpara. Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë”.
“Duke marrë parasysh kontekstin e asaj që po ndodhë, secili duhet të marrë përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon.”, ka deklaruar Escobar.
Gjatë intervistës Escobar ka folur edhe në lidhje me propozimin franko-gjerman mbi arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes Prishtinës e Beogradit, ku theksoi se ajo që propozohet nga shtetet europiane për dialogun, duhet të merret seriozisht.
“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike…Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat tjera evropiane.”, ka deklaruar Escobar në Kanal10.