Ervin Salianji letër nga qelia 6: Ndjesë për Sami Repishtin, dhe një porosi për demokratët

Përmes një letre nga burgu, Ervin Salianji, ka shprehur një ndjesë për Sami Repishtin, si dhe një porosi për demokratët.

Postimi i Salianjit:

Letër nga qelia 6

Ndjesë për Sami Repishtin, dhe një porosi për demokratët
Sami Repishti iku nga kjo botë, pa i kërkuar falje. Ne si shoqëri, si vend, patëm gati 3 dekada e gjysëm në dispozicion, po nuk ishim në gjendje të artikulonim një mea-culpa.

Edhe pse zoti i dha atij një shpërblim, i dha 99 vite jetë, duke na vënë si të thuash në provë, ndërgjegjen, kulturën, maturinë tonë, ne prapë dështuam.

Po në radhë të parë, qeverisja e sotme, pasardhësja biologjike, ideologjike dhe mentale e xhelatëve të tij. Sami Repishti qe një disident mirëfilli. Vuajti burgje e internime në komunizëm, pasi dalloi shpejt se çfarë regjimi po instalohej pas luftës dhe nuk u pajtua, sëbashku me intelektualë e përfaqësues të klerit.

U arratis, dhe ja doli të realizohej nga ana akademike. Po asnjë moment nuk reshti së përpjekuri për Shqipërinë dhe Kosovën. Shqiptari i parë që dëshmoi në kongresin amerikan.

Aktivist i palodhur, erudit, një fisnik i rrallë. Janë shumë të përndjekur që prej moshës po largohen, dhe ne ende si shoqëri nuk e kemi shlyer detyrimin ndaj tyre.

U bënë dy muaj në qelinë numër 6 në burgun e Fierit, për shkak të një denoncimi publik. Një burgim politik, 35 vite pasi e lamë pas diktaturën që këtë lloj ndëshkimi e kishte rutinë.

E kam më të qartë tani, për ta kuptuar se ç’kanë vuajtur Sami Repishti e mijëra të tjerë që patën të njëjtin fat, e madje edhe më të kobshëm, për të vetmin faj, për shkak të mendimit, të ndërgjegjes, të fjalës.

E burgosura e madhe del shoqëria, ne si vend që ende nuk kemi pjekurinë dhe ndriçimin, për të thënë; më fal. Vura re reagimet qeveritare pas vrasjes së 14 vjeçarit te shkolla “Fan Noli”.

Qendrime agresive, armiqësore, fajësim dhe akuzim i të gjithëve. Pa kursyer as viktimën. As të plagosurin, as familjarët e tyre. Një stad politik primitiv.

Luftë dhe shkatërrim i atij që ngre zërin, që nuk pajtohet, që kërkon transparencë, apo që guxon të hedhë hije dyshimi ndaj autoritetit.

Nuk e ndjen Ministri i Brendshëm, as ajo e Arsimit, të kërkojnë një ndjesë. Por nxjerrin armët dhe godasin e damkosin këdo që i konteston.

Sepse ata janë engjej, të mbrujtur në virtyte, të pagabueshëm, janë të rënë nga qielli. Pra askush të mos guxojë t’i kontestojë.

Ky model, nën shembullin e shefit të madh, është i neveritshëm. Eshtë një nga gjërat që ka zgjatur shumë më tepër sa mund ta durojë ky vend.

E zhveshur nga ky sens minimal reflektimi, politika ka mbetur më e prapambetura në shoqëri. Asnjë rrotacion nuk do të ishte i mjaftueshëm, nëse kjo kulturë në vetvete nuk ndryshon.

 


Shtuar 1.12.2024 11:56