Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj, i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të përshpejtojë shqyrtimin e padisë, në të cilën insistojnë se masa e arrestit në burg ndaj funksionarit është antikushtetuese.
Avokatët i sugjerojnë Gjykatës Kushtetuese të caktojë një datë sa më të shpejtë në kalendar, duke e lidhur këtë kërkesë me një sërë argumentesh, mes tyre edhe dëmet që vijnë nga mungesa e kryebashkiakut në detyrë.
Kjo padi për përshpejtim vjen dy javë pasi Veliaj, i arrestuar që nga muaji shkurt, kërkoi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave më të ulëta që aprovuan mbajtjen e tij në paraburgim.
Në Kushtetuese ende nuk është caktuar një datë, ndërkohë që më herët e njëjta gjykatë i dha të drejtë Veliajt, duke e kthyer në detyrë dhe duke shfuqizuar në këtë mënyrë vendimin e Këshillit të Ministrave.
Aktualisht, dosja penale që implikon 30 të pandehur, mes tyre edhe organizata jofitimprurëse, ka ngecur në seancë paraprake.
SPAK ka artikuluar akuza për korrupsion dhe pastrim parash, të qarkulluara sipas Prokurorisë së Posaçme pas abuzimit me fondet dhe tenderat.
Një ditë më parë, kryebashkiaku, i pranishëm në proces, përsëriti lutjen që t’i aksesonin fashikujt e hetimit dhe për këtë akuzoi drejtësinë për standarde të dyfishta, pasi ish-presidentit Meta dhe të pandehurve të tjerë u janë vënë në dispozicion materialet.
Në këtë pikë, edhe SPAK edhe mbrojtja e Veliajt i përmbahen të njëjtit vendim të Strasburgut, në precedentin Khodorkovski kundër Rusisë, ku përmendet se të pandehurve mund t’u jepen materialet me USB, një mundësi që e ofron akuza, megjithëse në Shqipëri të pandehurit i është dhënë USB-ja, por jo kompjuteri. Ndaj të dyja palët qëndrojnë te i njëjti vendim, të cilin e lexojnë sipas frontit ku ndodhen.
SPAK thotë se mjafton USB-ja, ndërsa Veliaj parashtron se, në mungesë të kompjuterit, t’i jepet fashikulli i printuar.
Dhe duke cituar të njëjtin vendim që përdor drejtësia, Veliaj vijon më tej kur kujton se Strasburgu, në këtë rast, pra në të njëjtin vendim, vlerëson si shkelje të rëndë edhe mbajtjen në kafaz xhami të të akuzuarit, ndaj sipas tij Strasburgu duhet lexuar deri në fund.
Se kush do të tërhiqet, mbetet për t’u parë nga 5 janari e në vazhdim, kur edhe do të mbahet seanca e radhës.
