EMRI/ Identifikohet bashkëautori i vrasjes së Behar Sofisë në Tiranë

Një tjetër person është identifikuar si pjesë e grupit të vrasësve që ekzekutuan Behar Sofinë në mes të kryeqytetit më 25 shkurt të 2021.

Këtë të dielë policia ka identifikuar dhe ekzekutuar masën arrest me burg për shtetasin Bujar Leza, si një ndër personat e përfshirë në vrasjen e Behar Sofisë, 66 vjeç një personazh i njohur për drejtësinë në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Ndërkohë kujtojmë se autori kryesor për vrasjen e tij është identifikuar si Ernejt Shyti, i cili ka pranuar krimin  dhe ka pohuar se ka kryer ai ekzekutimin më 25 shkurt pranë qendrës së Tiranës.

Gjithashtu në burg në lidhje me këtë ngjarje dhe të identifikuar si bashkëautorë të vrasësit 24 vjeçar janë edhe Xhuljano Visha 28 vjeç, Leonard Xhixha 30 vjeç dhe Skënder Vathi 54 vjeç.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur më 25 shkurt 2021.

Identifikohet bashkëpunëtori i autorit të vrasjes së shtetasit B. S.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 45-vjeçarin.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë, në drejtimin e SPAK-ut, për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 25 shkurt 2021, ku u vra me armë zjarri shtetasi B. S., 66 vjeç, si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara është bërë i mundur identifikimi i bashkëpunëtorit në këtë vrasje.

Bazuar në provat e grumbulluara, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin B. L., 45 vjeç, banues në Larushk, Krujë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në DVP Tiranë kanë bërë ekzekutimin e masës së sigurisë ndaj këtij shtetasi, në ambientet e burgut të Fushë Krujës, i cili ndodhet i paraburgosur për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetasit B. L., për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.


Shtuar 26.12.2021 10:46