Këtë të shtunë, është ekstraduar nga Spanja shtetasi Leonard Luzi alias Leonard Sejno, 47-vjeç. Bëhet me dije se ky person kishte organizuar dhe porositur shtetasin Amarildo Nikolli, për të vrarë Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrulla, ngjarje kjo e mbetur në tentativë pasi ekzekutori u arrestua në flagrance nga policia para se të kryente vrasjen.
Për atentatin ndaj Hajrullës, tre persona kanë rënë në pranga, Muharem Koroveshi, Amarildo Nikolli dhe Leonard Luzi që u kap më 18 korrik në Spanjë dhe u ekstradua sot.
Njoftimi i policisë:
Ekstradohet nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., i cili akuzohet nga GjKKO-ja se organizoi vrasjen e 2 shtetasve në Vlorë (krim i parandaluar si rezultat i ndërhyrjes së Policisë).
Shtetasi L. L. alias L. S., u arrestua në Spanjë, gjatë operacionit të koduar “Rekrutuesi”.
Si rezultat i bashkëpunimit mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Spanjës, në zbatim të marrëveshjes së ekstradimit, u ekstradua nga Spanja, shtetasi L. L. alias L. S., 47-vjeç, i lindur në Vlorë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
47-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal, kishte organizuar vrasjen e shtetasve E. M. dhe I. H.
Ky krim u parandalua nga Policia, pasi shtetasi A.N, u arrestua para se të kryente vrasjet.
Shtetasit A. N., në momentin e arrestimit, iu sekuestrua pistoleta me fishek në fole, e gatshme për qitje.