EMRI/ Arrestohet pas 12 orësh 44-vjeçari që terrorizoi fshatin duke qëlluar me armë në Selenicë

Policia e Vlorës, ka arrestuar pas 12 orësh 44-vjeçarin Avni Ferraj nga fshati Brataj i Selenicës, i cili mbrëmjen e djeshme qëlloi me armë zjarri në ajër në fshat, në gjendje të dehur, duke krijuar panik te banorët dhe te disa të miturit.

Blutë e qytetit bregdetar raportojnë se Avni Ferraj, pasi qëlloi me armë zjarri, ishte larguar në kodrat e fshatit Brataj për t’i shpëtuar Policisë dhe është kapur pas 12 orësh kërkimesh dhe ndjekjesh nga uniformat blu.

Raportohet se në momentin e arrestimit, 44-vjeçari kishte me vete edhe armën e zjarrit tip kallashnikov, me fishek në fole gati për qitje, me të cilën kishte qëlluar në ajër edhe mbrëmjen e djeshme.

“44-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, në gjendje të dehur dhe pas një konflikti të çastit, si dhe me pretendimin se disa të mitur po e bezdisnin, ka shkuar në banesë, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe te të miturit”, – thuhet në njoftimin e Policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.


Shtuar 1.12.2024 15:54