Në Bashkinë e Cërrikut ka nisur rikonstrukturimi dhe reformimi i stafit të pushtetit vendor, nismë kjo e ndërmarrë me urdhër të kryeministrit Edi Rama për një riorganizim të thelluar të strukturave drejtuese në vend.
Deri më tani janë emëruar në detyrë dy drejtues të njësive administrative nga 4 në total në Cërrik. Bëhet fjalë për njësinë administrative Klos ku Elis Duzha ka zëvendësuar Arjan Gribën. Ndërkohë në njësinë administrative Gostimë, Eneo Taçja ka pasuar në detyrë, Gëzim Kadiun. Të pandryshuar mbeten drejtuesit e njësive administrative Mollas dhe Shalës ku drejtues përkatësisht janë Xhevdet Sade dhe Brunilda Kurti.
Ndryshime janë bërë dhe në nivel drejtorish. Olti Bozi është emëruar në krye të drejtorisë së Shërbimeve Publik ndërsa në krye të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, është komanduar Florian Qosja.
Ndërkohë në një kohë të shkurtër priten që në këtë bashki të emërohen dhe dy nënkryetarët e rinj ndërsa kryebashkiaku Andis Salla është shprehur se të gjitha emërimet në institucion janë duke u zhvilluar në transparencë të plotë.