Elsa Lila rrëfen përballjen me policët gjatë arrestimit: Nuk i meritoj 20 vite burg

Në një bisedë në Grida Duma Podcast, Elsa Lila ka treguar për herë të parë si e përjetoi momentin kur u akuzua padrejtësisht në Itali.

“Ke një akuzë 20 vite e lart dhe gjëja e parë që mendova ishte: çfarë mund të kem bërë unë për ta merituar këtë? Ndoshta ndonjë gjobë e makinës, por s’vlen 20 vite,” tregoi këngëtarja për përjetimet e saj me karabinierët.

Elsa tregon se si shtangu përballë prangave dhe dilemat që kaloi gjatë arrestimit: “Të gjithë kemi anë të errëta dhe të ndriçuara. Të gjithë kemi lënduar dikë, ndoshta pa dashje. Edhe unë nuk kam qenë gjithmonë e përsosur, por kurrsesi për të merituar burg”, tregoi këngëtarja.

Ajo ka treguar për herë të parë se si mori lajmin e vrasjes së nënës së saj në vitin 1997, vetëm pesë muaj pasi ishte larguar nga Shqipëria me helikopterin e ambasadës italiane.

“Italia ishte burgu im i parë. Nuk më lejuan të kthehesha, kufijtë ishin të mbyllur. Doja vetëm ta shihja nënën, por nuk munda. E kam parë vetëm një gur kur u ktheva në tetor,” rrëfeu ajo.

Edhe sot, pas shumë vitesh, Elsa thotë se truri i saj nuk e ka pranuar ende humbjen.

“E mendoj sikur është diku, në një kontinent tjetër, dhe po jeton jetën e saj”, shprehet këngëtarja.


Shtuar 30.10.2025 19:58

Tags: , ,