Ekzekutohet anëtari i bandës së Durrësit dhe shoku i Lul Berishës, Mond Çekiçi

 Mond Çekiçi anëtar i bandës së Durrësit, është vrarë më armë zjarri mbrapa drejtorisë Arsimore në Durrës, brenda makinës së tij.

Mësohet se ekzekutorët e tij kanë qenë të veshur me veshje ushtarake, ndërsa policia njofton se në Sukth është gjetur duke u djegur një mjet tip “Benz”, me targa të vjedhura, që dyshohet se është përdorur nga autorët.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:40 të mëngjesit, ndërkohë që  policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje e në dalje të Durrësit si dhe në drejtim të Tiranës e Kavajës.

Por Edmond Koçi ose siç njihet ndryshe “Mond Çekiçi”, nuk është një emër i panjohur.

Policia e Durrësit e ka konsideruar si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.

Në muajin Maj 2009 Edmond Koçi, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

“Mond Çekiçi”, shoqërohej me Lulzim Berishën “Luli”, Emiljano Shullazi “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Bashkim Haxhiaj dhe persona të tjerë.

Shtuar 20.03.2021 09:03