Ekzekutimi i Gentjan Bejtjas, makina e përdorur nga autorët ishte vjedhur në Shkodër! Në vendngjarje 50 gëzhoja plumbash, shoqërohen në polici disa persona

Detaje të reja janë mësuar nga atentati me armë zjarri pasditen e djeshme në Fushë Krujë ku u ekzekutua me breshëri kallashnikovi ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja, një emër i njohur në botën e krimit.

Raportohet se gjatë natës janë bërë kontrolle banesash dhe shoqërime të personave me precedentë kriminalë në zonë.

Në vendngjarje janë gjetur rreth 50 gëzhoja kallashnikovi që dyshohet të jenë qëlluar nga 2 armë të ndryshme, ndërsa makina “Land Rover” dhe targat e saj, rezultojnë të jenë vjedhur në Shkodër në gusht të 2023-it.

Vrasja e 43 vjeçarit në oborrin e banesës së tij dyshohet të ketë qenë një mesazh i koduar nga autorët. Ndërsa nga ana tjetër familjarët e Bejtjas nuk kanë bashkëpunuar me policinë për të dhënë itinerarin e tij para krimit që tronditi Fushë-Krujën.

Dje, pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas, makina e autorëve u gjet e djegur rreth 5 kilometra më larg vendngjarjes, në fshatin Hasan, ndërsa brenda ishin edhe 4 kallashnikovë të djegur të cilët dyshohet se janë përdorur nga ekzekutorët për atentatin.


Shtuar 16.03.2024 10:43