Ekstradohet në Shqipëri Behar Bajri, udhëtimi u shty me 1 ditë për arsye sigurie

Behar Bajri, 43 vjeç është ekstraduar në Shqipëri.

43 vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht nga SPAK për operacionin “Metamorfoza” duhet të sillej nga Franca në Shqipëri mbrëmjen e të mërkurës, por vetëm mëngjesin e sotëm ai ka shkelur tokën shqiptare.

Shkak u bënë arsyet e sigurisë për të mos fluturuar me një avion komercial me pasagjerë civilë.

Ai u soll nga Parisi mëngjesin e kësaj të enjteje me fluturim me charter.

Bajri u ndalua në Francë më 4 shtator, vend i cili pranoi ekstradimin e të shumëkërkuarit drejt Shqipërisë.

Ai akuzohet për “Vrasje me paramendim”, “Sigurim të kushteve dhe mjeteve për vrasje” në 3 episode, “Korrupsion aktiv ndaj gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si dhe “Armëmbajtje pa leje”, vepra këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal./albeu.com


Shtuar 16.11.2023 10:13