Ekipet që bien dhe ngjiten në 5 ligat e mëdha deri më tani

Kemi hyrë në fazën finale të edicioneve në ligat e futbollit. Pa dyshim, vëmendja më e madhe është në pesë ligat më të forta evropiane, Premierligë, Serie A, La Liga, Bundesliga dhe Ligue 1.

Vetëm në Serie A tashmë është shpallur kampioni, ku Interi e theu mbretërimin nëntë vjeçar të Juventusit.

Ndonëse kampionët ende nuk dihen, tashmë ekipet që do të largohen nga liga dhe ato që do të inkuadrohen kanë filluar të dihen.

Në Premierligë është Sheffield United që matematikisht nuk ka gjasa të qëndrojë në elitë, ndërsa sipas të gjitha gjasave West Brom dhe Fulham do t’i bashkohen në Championship edicionin e ardhshëm, edhe pse matematikisht kanë ende gjasa për mbijetesë.

Në Premierligë edicionin e ardhshëm do të inkuadrohen Norwich dhe Watford, teksa ekipi i tretë do të diskutohet mes Brentford, Swansea, Bournemouth dhe Barnsley.

Në Serie A, Crotone do të luajë në një rang më poshtë dhe atyre do t’u bashkohet sipas të gjitha gjasave Parma.

Ekipet që do të inkuadrohen nga Serie B në A ende nuk dihen. Aty në vendin e parë gjendet Empoli me 67 pikë, i ndjekur nga Lecce me gjashtë më pak.

Në La Liga gjithça është e hapur, teksa Eibari gjendet në vendin e fundit, por jo larg ekipeve tjera.

Nga La Liga 2 në 1 ende nuk dihet matematikisht, por Espanyol është vetëm një pikë larg për ta siguruar promovimin.

Në Bundesligë, Schalke tash e dy xhiro e ka humbur vendin e vet në elitë dhe pas 30 viteve do të luajë në një rang më poshtë të garave, shkruan Express.

As në Bundesligë ende nuk dihet se cili ekip do të inkuadrohet, megjithatë Bochum është shumë afër ta realizojë këtë.

Në Ligue 1 të Francës vetëm Dijon i Bersant Celinës ka humbur gjasat për mbijetesë.

Ndërkohë në Ligue 1 do të inkuadrohet sipas të gjitha gjasave Troyes që është shumë afër ta sigurojë matematikisht inkuadrimin.


Shtuar 3.05.2021 20:36