Edi Paloka: S’qeverisim me Ramën sikur të rrimë gjithë jetën në opozitë!

Kur kanë mbetur vetëm  pak ditë nga 25 prilli, drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit është i bindur se strategjia që kanë ndjekur – LSI të garojë listë më vete për maksimalizimin e votave – do të sjellë sukses.

I pari në listën e kandidatëve të PD-së në qarkun e Durrësit, Edi Paloka u tregua optimist në studion e RTV Ora kur tha se opozita e bashkuar do të marrë 9 mandate në Durrës ndërsa në total në të gjithë Shqipërinë rezultati do të jetë bindshëm fitues, mbi 80 mandate.

Paloka mohon kategorikisht dhe në çdo rast mundësinë e një bashkëqeverisjeje me Ramën edhe sikur PD të qëndrojë gjithë jetën në opozitë.

Edi Paloka: Unë sot mund të them pa frikë që bashkë me LSI-në ne jemi në momentin të synojmë një rezultat 9 me 5 në Durrës. Mund të duket rezultat i habitshëm

Objektivi në fillim ka qenë 8 me 6 por ditë pas dite duke parë njerëzit që po afrohen shumica e tyre të majtë, nga funksionarë të PS-së deri në anëtarë të PS-së po dalin hapur e po shprehen se dhe ata janë për ndryshimin. Sot ka pasur një takim të madh në Sukth të vetëm të socialistëve të cilët deklaruan largimin nga PS dhe mbështetjen e PD-së. Këtë frymë e shohim përditë në Durrës dhe jemi me besim se do fitojmë 9 me 5. Është si dallga që rritet e rritet e përplaset dhe kthehet në cunam ditën e zgjedhjeve.

Si e lexoni ftesën e kryeministrit Rama për bashkëqeverisje

 Edi Paloka: Rama është në moment dëshpërimi. E bërë këtë lojë në 2017, por duke parë frymën kundër tij. Synimi ynë nuk është vetëm largimi i Ramës, thjesht një rotacion por ndryshimi i vërtetë që kërkojnë shqiptarët. Rama është në momente dëshpërimi, nuk është mësuar të rrijë pa pushtet. Përveç kësaj e di se me gjithë zullumet që ka bërë e ardhmja për të është shumë e zezë në Shqipëri.

A mos është përpjekje për diversion?

Edi Paloka: Nëse do të ishte e tillë do të ishte bajate, e dalë boje. Nuk ka shqiptar më që ta besojë këtë.

Nëse do të ketë një rezultat i ngushtë siç analizohet nga sondazhet, sërish nuk do ta merrni  në konsideratë një ftesë të tillë?

Edi Paloka: Absolutisht. Sikur ta dimë që do të rrimë gjithë jetën në opozitë me Ramën është absurde. Për fat të mirë ky opsion në këto zgjedhje përjashtohet, pra dalja me një rezultat të ngushtë. Opozita e bashkuar do të jetë në pushtet dhe ju garantoj që do të jetë me mbi 80 mandate.  Nuk janë fjalë as për propagandë e as për ti dhënë frymëzim ditëve të fundit.

Po PD sa mandate do të ketë?

Edi Paloka: Do ta shohim, them se do të jetë rezultat surprizuar i PD-së, gjithmonë duke u bazuar në atë që shoh cdo ditë jo vetëm në Durrës por në të gjithë Shqipërinë.  Edhe sondazhet që e nxjerrin të gjithë opozitën fituese japin një rezultat që në fakt është më i madh pasi shumë njerëz nuk deklarohen hapur pro opozitës. Është normale para një qeverie si kjo që bën presion e përdor të gjitha mjetet e shantazhit për ti detyruar të veprojnë si skllevër. Edhe sistemi i patronazhit tregon këtë.

Kemi bërë një kontroll të listës së tyre dhe 70% e atyre që i kanë shënuar të lëkundur janë deklaruar hapur me PD-në. Realisht ata ose janë duke gënjyer veten ose Ramën.

Pavarësisht gjithë gërmimeve, e presioneve e formave prej sigurimit të shtetit që kanë përdorur ndaj qytetarëve.

 Çfarë përpjekjeje po bën për të pavendosurit?

 Edi Paloka: Të pavendosurit këto ditë janë më pak. Ata që kërkojnë ndryshimin janë mbi 80%, të majtë e të djathtë. Madje dhe anëtarë e funksionarë të PS-së janë të bindur se Rama duhet të largohet si e keqja më e madhe e këtij vendi./oranews


Shtuar 17.04.2021 22:07