E vranë sot duke pirë kafen e mëngjesit, si Naim Bajrit i ekzekutuan djalin me snajper në 2001 (VIDEO)

Viktima e ngjarjes së Shkodrës, Naim Bajri, është babai i Indrit Bajrit, që u ekzekutua në vitin 2001 me snajper nga  Xhabir Shega dhe Kujtim Barbullushi dhe Ilimir Hajdari.

Si ndodhi ngjarja e 21 tetorit 2001

Më 21 tetor të vitit 2001, Ilmir Hajdari, së bashku me Xhabir Shegajn dhe Kujtim Barbullushi ekzekutuan Indrit Bajrin me armë automatike. Vetë Shegaj u ekzekutua me snajper në vitin 2015 për vrasjen e Indrit Bajrit. Në atë kohë policia bëri me dije se Ilmir Hajdari kishte debatuar me Indrit Bajrin e në grindje e sipër kishin kërcënuar njëri-tjetrin e ishin ndarë të acaruar. Ditën e ngjarjes, Ilmiri, pasi kishte marrë me vete edhe Xhabir Shegën e Kujtim Barbullushin, po udhëtonin me një makinë “Mercedes Benz”. Të tre të pandehurit ishin të armatosur me armë dhe po lëviznin nga qendra e qytetit në rrugën kryesore, në drejtim të lagjes “Partizani” (Rus). Te kryqëzimi, pranë Shkollës së Muzikës, në trotuarin pranë restorant “Podgorica”, Ilmir Hajdari ka vënë re Indrit Bajrin dhe ky i fundit ka vënë re atë (Hajdarin). Menjëherë ata kanë reaguar ndaj njëri-tjetrit dhe Ilmiri ka qëlluar në drejtim të tij. Po ashtu, ndaj Bajrit kanë qëlluar Xhabir Shega e Kujtim Barbullushi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Në lidhje me këtë ngjarje (vrasjen e Indrit Bajrit), Ilmir Hajdari është dënuar me 16 vite burg. Ky i fundit është arrestuar në vitin 2009, por pas 4-5 vitesh është liruar, sepse ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk është ai autori i vrasjes se Indrit Bajrit.

Si ndodhi ngjarja e sotme, 3 qershor 2022

Rreth orës 07:10, në lagjen “Rus”, Naim Bajri, tregtar peshku, ka qenë duke pirë kafe me punëtorin e tij. Në këtë moment, persona me një makinë, kanë ardhur dhe kanë qëlluar në drejtim të tavolinës së tyre.

Ata kanë qëlluar 10 herë dhe për pasoja ka mbetur i vdekur në vend Naim Bajri, ndërsa punëtori i tij, Astrit Zeneli, ka mbetur i plagosur.

Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja. Në bypassin e Shkodrës është gjetur një makinë e djegur, që dyshohet të jetë e autorëve të ngjarjes.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur punën për zbardhjen e vrasjes si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur “Merkata e Rusit”, në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi N. B., 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.

Gjithashtu në livadh, në lagjen “Guerrile”, Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.

Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve./albeu.com


Shtuar 3.06.2022 08:17