Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, u shkarkuar nga detyra ditë më parë me një vendim të Këshillit të Ministrave.
Bledi Çuçi njoftoi se Nano u shkarkua pasi nuk kishte përmbushur objektivat e vendosur në luftën kundër krimit.
Ndërkohë, në media gjatë këtyre ditëve pas dorëheqjes, është thënë se Gledis Nano u shkarkuar nga detyra e kryepolicit pasi nuk pranoi të bëhej palë me politikën dhe kishte kërkuar arrestimin e disa personazheve të krimit.
Por, cila do të jetë rruga e ish-kreut të AntiTerrorit dhe ish-drejtorit të Policisë në vazhdim. Gazetarja Anduena Llabani është shprehur në emisionin “Noë”, se Gledis Nano do të largohet nga Shqipëria.
“Gledis Nano nuk do të kthehet në policinë shqiptare. Ai nuk do të qëndrojë më në Shqipëri. Ai do të shkojë në SHBA për të vazhduar një projekt të tijin”, tha ajo.
Ish-kreu i Policisë së Shtetit ishte një propozim i Ambasadës Amerikane për këtë post, pas një operacioni të suksesshëm 5 ditor në Siri, ku u kthyen nga kampi Al Haël pesë shqiptarë. Gjithashtu, Gledis Nano është trajnuar në bazën e FBI në Quantico, Virxhinia.
Kujtojmë se ditën e djeshme u prezantua drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku./albeu.com/