Gjatë një interviste për emisionin “Top Story”, ish-kryeministri Sali Berisha, ka nxjerrë disa biseda nga aplikacioni i enkriptuar “Sky Ecc”, të cilat janë në duart e drejtësisë, ku pretendon se personazhe të krimit të organizuar i referohen ministrit Taulant Balla.
Sipas liderit demokrat, grupi i Bajrave në Shkodër, deklarojnë se “E kemi tonin Taulantin”, gjatë kohës kur merreshin me lojërat e fatit dhe sipas Berishës, ata i referohen Taulant Ballës.
Gjithashtu, Berisha deklaroi se ish-ministri i Brendshëm ka liruar nga qelia dhe autorët e vënies së tritolit ndaj Lulzim Kullës në Shkodër, duke telefonuar një magjistrat, i cili sot është anëtar i KLP-së.
“Të të jap një provë. Merr dhe lexo regjistrimet. Dy vetë i vënë eksplozivin për ta ekzekutuar Lulzim Kullën. Eksplozivi e plagosi, por nuk vdiq. Taulant Balla merr në telefon anëtarin aktual të KLP-së dhe i thotë “urgjent të lirohen” dhe kjo ndodhi. A do të të jap për Taulant Ballën, lexo çfarë thonë Bajrat kur merreshin me lojërat e fatit, “E kemi tonin Taulantin”. Çfarë e shtyn Gjokën t’i bëjë peshqeshe Spirogjokës, Elisës. Ne dënojmë, denoncojmë sepse janë gjëma e këtij vendi”, u shpreh Berisha.