Dënohet me burg Joana Duro, ish-sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka shpallur vendimin për ish-sekretaren e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, duke e dënuar me 4 vite nga të cilat i ulen 1/3 e dënimit duke u dënuar përfundimisht me 2 vite e 8 muaj burg.

Gjithashtu është vendosur edhe dënim plotësues që për 5 vite Joana Duro të mos ushtrojë asnjë funksion publik.

Joana Duro u arrestua më 2 qershor pasi rezultoi se kishte përfituar ryshfet në vlerën 330 mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k në një procedurë prokurimi.

SPAK sqaroi ne ate kohe se kjo shoqëri kishte fituar fazën e parë të një tenderi të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,“Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës”, me fond limit 805 mijë lekë.

Veç Duros, akuzohen për korrupsion edhe Laura Shteto, specialiste e Nivelit të Lartë të Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara; Vladimir Topi, administratori i shoqërisë “Dricons” sh.p.k dhe Silvi Sheshi, inxhiner pranë këtij operatori ekonomik.


Shtuar 13.11.2023 16:29