Gjykata e Lezhës ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të marrë kampionet e ADN-së së ish-efektivit të RENEA-s Remal Rada dhe Elton Hithit.
Mostrat u janë marrë dy të dyshuarve ditën e sotme dhe përgjigja pritet të dalë brenda kësaj jave.
Organi i akuzës në Lezhë kërkon që të krahasojë ADN-në me gjurmët e për shkak se në armën tip snajper me të cilën u ekzekutua Reçi në Rrëshen, janë gjetur gjurmë biologjike që mund të çojnë në identifikimin e autorëve, prokurori ka kërkuar marrjen e mostrave biologjike për të bëre krahasimin e tyre.
Prokuroria e Lezhës ka dyshime se Rada dhe Hithi mund të kenë informacion se ku është marrë snajperi që u përdorë për të vrarë Reçin.
Mostrat e ADN-së u janë marrë dy të dyshuarve në paraburgimin 31.
Gjykata e Tiranës ka vendosur masën arrest me burg për Remal Radën dhe Elton Hithin, të arrestuar pasi u kapën me snajper në mjetin e tyre luksoz dhe më pas u gjetën armë të tjera. Organi i akuzës ka kërkuar mostra për të bërë analiza ADN, por kjo nuk është pranuar nga të dyshuarit. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe mbajtje pa të drejtë të uniformave të policisë.
Ndërkohë, mësohet se Rada i ka mohuar akuzat përballë grupit hetimor se kishte dijeni për armën e gjetur në mjet.
Edhe ditën e sotme përpara gjykatës ish-efektivi ka mbajtur te njëjtin qëndrim, duke u shprehur se ai ka marre një çantë nga një person që e kishte sjellë si porosi nga Britania e Madhe.
Sipas efektivit çanta do i dorëzohej një personi tjetër ditën që ai u arrestua.
Ndërkohë Rada nuk ka treguar emrat as të porositësit dhe as të marrësit. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe miku i tij Elton Hithi lidhur me këtë ngjarje. Por, pavarësisht pretendimeve të tyre gjykata vendosi masën arrest me burg ndaj dy të arrestuarve.
Remal Rada, 39 vjeç dhe Elton Hithi, 28 vjeç, u arrestuan më 26 korrik pasi u kapën duke lëvizur me automjet ku u gjet snajper.
39-vjeçari, Rada, ka shërbyer më herët në radhët e Policisë së Shtetit, në repartin RENEA.
Ai lëvizte me një automjet luksoz me targa të huaja (angleze). Efektivi kishte 2-3 muaj që ishte larguar nga radhët e policisë. U ndalua nga shërbimet e policisë rrugore fillimisht dhe iu gjet snajper. Dyshohet se do kryenin vrasje.
Ndërkaq, policia sqaroi se gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin Remal Rada dhe pasagjer Elton Hithi, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri snajper, targa të huaja, një mjet identifikimi ai ato të Policisë dhe një pult për hapjen dhe mbylljen e targave të mjetit.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesat e tyre u gjetën një armë zjarri pistoletë, dy palë dylbi dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.