Policia e Durrësit ka zhvilluar kontrolle në banesën e Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si “Rrumi” i Shijakut.
Aleksandër Laho është në kërkim dhe ka dy urdhër-arreste, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK.
Aksioni për kontrollin e banesës së tij është marrë pas sinjalizimeve se i shumëkërkuari “Rrumi” ndodhej në shtëpi.
Ndërkohë theksohet se është shoqëruar i vëllai, Vullnet Muharremi, por më pas është lënë i lirë. Sakaq gjatë aksionit është kapur një person me armë pa leje dhe më pas është arrestuar.
Por kush është “Rrumi”, i forti i Shijakut?
I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, “Rrumi”, ishte mik i prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji.
Ai mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit kundër prokurorit disa vite më parë. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.
Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë.
Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës. Ndërsa së fundmi, e kishte ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.
Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikano-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit.
Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë u dyshuan se mund të ishin paguar ose porositur nga persona të tjerë për të dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj.
Në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen e datës 10 shtator 2016 ishin: Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë./Albeu.com/