Policia ka nisur hetim ndaj dy shtetasve, një banues në Kosovë dhe një tjetër në Lushnjë, pasi tentuan të kalonin kufirin në Rinas me dokumete false. Hetim gjithashtu është nisur ndaj një shtetasi anglez, i cili I kishte vjedhur çantën e dorës një shtetasi, në aeroport.
Njoftimi i policisë:
Rinas/Falë pajisjeve logjistike bashkëkohore, evidentohen dhe ndëshkohen persona që përdorin dokumente të falsifikuara, për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Procedohen penalisht 2 shtetas që tentuan të kalonin kufirin, me dokumente të falsifikuara.
Procedohet penalisht edhe një shtetas nga Anglia, pasi i vodhi çantën e dorës një shtetasi, në aeroport.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Në këtë kuadër, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit Xh. J., 49 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë dhe K. R., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Gjatë përpunimit të dokumentacionit ka rezultuar se këta shtetas kishin paraqitur dokumente identifikimi të falsifikuara, për të dalë jashtë Shqipërisë. Më pas, gjatë kontrollit të imtësishëm në vijën e dytë, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të bagazheve të tyre, kanë gjetur dokumente të tjera të falsifikuara.
Gjithashtu, falë reagimit në kohë, shërbimet e Policisë gjetën çantën e dorës të një shtetasi, të cilën që ia kishte vjedhur një shtetas nga Anglia, në ambientet e aeroportit.
Pas denoncimit të bërë nga shtetasi Sh. T., se në ambientet e aeroportit të Rinasit i kishin vjedhur çantën e dorës, brenda së cilës kishte sendet personale, shërbimet e Policisë kanë kryer kontrolle të menjëhershme dhe si rezultat kanë identifikuar dhe kapur personin, së bashku me çantën që ai kishte vjedhur.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi N. E., 47 vjeç, nga Anglia, për veprën penale “Vjedhja”.
Shërbimet e Policisë Kufitare po vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe të krimeve ndërkufitare, si dhe për t’iu ofruar një shërbim sa më cilësor qyetarëve, në hyrje dhe në dalje të RSH-së.