Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Etleda Çiftja është paraqitur në prokurorinë e Posaçme SPAK, ku mësohet se është njohur me dy akuzat dhe statusin e të pandehurës.
Pasi Prokuroria e posaçme e ka marrë në hetim, anëtarja e Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit është përballuar para SPAK me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe deklarimit të rremë dy ditë më parë.
Tashmë Çiftja është zyrtarisht e pandehur. Sipas veprimeve hetimore të kryera nga SPAK, ka rezultuar se në Korrik 2017, anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Etleda Çiftja, plotëson deklaratën fillestare të pasurisë. Ndër të tjera, ajo ka deklaruar se është në pronësi të një aseti tokë arë, me sipërfaqe 3440 m2 në Qerret të Kavajës, blerë në 10 Korrik 2006, me vlerë 50 mijë euro.
Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK. Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.
Edhe Hajdari u kallëzua penalisht për të njëjtin fakt, si dhe për fshehje të ardhurash. Rreth dy javë më parë SPAK i ka kërkuar gjykatës respektive gjykimin e Ardian Hajdarit për veprat penale “fshehje e të ardhurave” dhe “…deklarim të rremë të pasurisë…”, ndërsa u pushua procedimi për “falsifikim të dokumenteve” me argumentin se dy akuzat e para e përfshijë në vetvete.
Në faqen online të KPK-së sqarohet se Etleda Çiftja është diplomuar si juriste në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Aty thuhet se ajo ka punuar më shumë se 16 vite si juriste, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit. Po ashtu, ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit./abcnews.al