Një seri skandalesh e kanë vendosur nën presion kryeministrin Johnson. Pas skandaleve harrohet se Johnson po përpiqet të transformojë masivisht sistemin juridik të vendit. Krahasimi me Hungarinë është më i përhapuri.
Nuk kalon as një ditë në ishull pa shpërthyer skandale të reja rreth Boris Johnson-it dhe qeverisë së tij. Fotografitë e reja të festave të çlirëta të Krishtlindjeve u tregojnë britanikëve të tronditur se rregullat e rrepta të vendosura nga qeveria e tyre për vetë Johnson-in dhe ndihmësit e tij me sa duket nuk vlejnë .
Një model që shfaqet edhe tjetërkund, kur hedhim një vështrim më të vëmendshëm pas prapaskenave. Sepse pretendimi i vetë Johnsonit se është mbi ligjin ka infektuar prej kohësh kabinetin e tij.
Ministrja e Brendshme, Priti Patel kërkon një ligj të ri për policinë që në të ardhmen do të bëjë të mundur arrestimin e kujtdo që, për shembull, shkakton “trazira publike” duke bërë zhurmë ose që thjesht të jep përshtypjen se ka ndërmend ta bëjë këtë.
Kundër këtij projektligji ende po zhvillohen protesta të rregullta para Parlamentit. Por në të ardhmen, këto protesta do të ishin të paligjshme po të miratohet projekti i Patelit në formën e tanishme.
Kur organet e kontrollit vetëm shqetësojnë
A po bëhet Britania një shtet policor? Ky është pikërisht rreziku, argumentojnë protestuesit jashtë parlamentit dhe shumë kritikë të tjerë të qeverisë. Dominic Grieve, Tory dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm, thotë se situata është edhe më serioze:
“Kjo qeveri absolutisht nuk dëshiron të pengohet të ushtrojë pushtetin e saj. Përveç zgjedhjeve. Dhe kjo shkon edhe më tej, ajo gjithashtu dëshiron të eleminojë çdo organ të mundshëm kontrolli që mund të kufizojë fuqinë e saj. Rregullat duhet të zbatohen vetëm për të tjerët”.
A është ende i vlefshëm koncepti i sundimit të ligjit?
Me këtë kihen parasysh në radhë të parë sulmet e Johnson-it ndaj gjykatësve dhe avokatëve, të cilët fyen rregullisht si aktivistë, pasi qeveria humb procese gjyqësore, sepse kërkon të dëbojë ilegalisht refugjatët.
Në të ardhmen e afërt, Johnson dëshiron t’ua heqë refugjatëve krejtësisht të drejtat e mbrojtjes ligjore dhe t’i dëbojë drejtpërdrejt. Një shkelje e qartë e të drejtave ndërkombëtare të njeriut.
Edhe Shoqata Britanike e Avokatëve është gjithnjë e më e shqetësuar. “Respekti për konceptin e sundimit të ligjit rrezikon të humbasë në këtë vend. Është thjesht sasia e përpjekjeve për të minuar idenë themelore në Kushtetutën tonë që edhe qeveria duhet të respektojë ligjet. Kështu nisin diktaturat, kur një qeveri beson se është mbi ligjin”, thotë Ellie Cumbo nga “The Law Society”.
Çfarë vlere kanë ende ligjet e vjetra?
Britania e Madhe mund të ketë ligjet më të vjetra në botë, por për Johnsonin ato nuk kanë më shumë vlerë se letra në të cilën janë shkruar, beson më tej Grieve: “Po, po ta ketë të nevojshme ai nuk do të sulmonte vetëm rolin e gjykatave dhe gjyqtarëve, por edhe parimet kryesore të kushtetutës sonë”.
Partia e tij ka kohë që ka mbyllur sytë për këtë pikë. Por këtë javë u duk për herë të parë se Johnsoni kishte shkuar shumë larg. “Partia konservatore e angazhoi, sepse ai duhej të fitonte zgjedhjet për të. Por ajo që bëri ai është: ai i shpalli luftë Britanisë tradicionale. Njeriu që e njihja mirë ishte një internacionalist liberal. Sot ne kemi në pushtet një nacionalist ksenofob, i cili i ngjan më shumë një Orbani se një udhëheqësi të një partie demokratike”, thotë publicisti Peter Oborne, ish-komentatori kryesor i gazetës konservatore “Daily Telegraph”.
Nuk është vetëm Johnsoni
Sulmet e Johnsonit ndaj shtetit ligjor britanik mund të shkaktojnë dëme të qëndrueshme – edhe po ta eliminonte partia e tij përfundimisht atë, sepse moria e skandaleve në të cilat është përfshirë kryeministri britanik mund të rrezikojë zgjedhjet e ardhshme për konservatorët.
Konservatorëve britanikë vetë u ka interesuar dhe u intereson gjithmonë një prioritet: pushteti. Vetë Johnsoni do të kishte qenë vetëm mishërimi më radikal deri tani i kësaj në Downing Street./DW/