Dumani “nxjerr zbuluar” Erion Alibejn: Më pagoi për të organizuar vrasjen e Ramazanit dhe Runajt

I penduari i drejtësisë, Nuredian Dumani, dëshmoi sot para Gjykatës së Posaçme, se Erion Alibej e pagoi për të organizuar vrasjen e Emiljano Ramazanit  dhe Regis Runajt.

Dumani dëshmoi këtë të martë në Gjykatën e Posaçme në procesin që po zhvillohet ndaj Xhuljano Hoxhës dhe Euglen Halilit, të arrestuar për vrasjet e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt tre vite më parë në Elbasan.

I penduari i drejtësisë ka dhënë deklarimet e tij duke rrëfyer se me kërkesë të Alibejt është bërë vrasja e Emiljano Ramazanit me armë zjarri dhe ajo e Regis Runajt me thikë në verën e vitit 2020.

Dumani ka treguar se pasi ka marrë porosinë ka qenë personi që ka organizuar dy vrasjet, ndersa zbuloi se ekzekutori ka qenë Skerdi Tase, sipas gazetares Keti Banushi.

Përpara gjykatës ai është shprehur se për vrasjen është paguar nga Alibej, ndërsa ai ka organizuar të gjithë ngjarjen.

Pas operacionit ‘Plumbi i Artë’, SPAK kërkoi të pyetet edhe Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë që zbardhi detaje nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin. Dumani zbuloi se ndihmës për ekzekutimin e Ramazanit kanë qenë Henrik Hoxhaj, Xhuljano Hoxha dhe Euglen Halili.

Vrasjet e Ramazanit dhe Runajt

Regis Runaj u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të Elbasanit, mbrëmjen e 29 korrikut 2020. Dy autorët dyshohet se kanë konsumuar lëndë narkotike bashkë me viktimën e më pas e kanë goditur me thika.

Policia e shtetit tregoi provat që fajësojnë Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin për vrasjen e Regis Runaj. Këta dy persona dyshohet se janë përfshirë edhe në ekzekutimin e Emiljano Ramazanit, ngjarje kjo e ndodhur më 20 korrik. Regis Runaj dhe Emiljano Ramazani ishin miq të ngushtë me njëri-tjetrin ndërsa u vranë njëri-pas tjetrit brenda 9 ditësh në Elbasan.

“Truri” i dy vrasjeve që tronditën qytetin e Elbasanit, më 20 dhe 29 korrik ishte 34-vjeçari Erion Alibej! 34-vjeçari ishte organizatori dhe porositësi i vrasjes së Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij, Regis Runajt në Elbasan. Uniformat blu bënë arrestimin e tij në 18 shtator të 2020, ndaj të cilit më pas është caktuar edhe masa e sigurisë “Arrest me burg”.

vijon