Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me drejtorët e Departamenteve të Policisë Kriminale, Rendit dhe Sigurisë Publike, si dhe të Kufirit dhe Migracionit, morën pjesë në analizat vjetore të punës së strukturave policore në qarqet Vlorë dhe Fier.
Në analizat vjetore ishin të pranishëm drejtuesit e Prokurorive respektive, të Gjykatave dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Drejtori i Përgjithshëm ka qenë i prerë në porositë për zbatimin me korrektësi dhe paanshmëri të ligjit zgjedhor nga ana e punonjësve të Policisë, të cilëve u tha se duhet të jenë të distancuar nga çdo ndikim apo veprimtari me karakter politik dhe të fokusohen në përmbushjen e detyrave, duke garantuar rendin dhe sigurinë përgjatë fushatës zgjedhore.
“Cilido që cenon imazhin e Policisë së Shtetit do të largohet menjëherë nga radhët e saj”, tha ai.
Në vijim, Proda kërkoi nga strukturat e hetimit të krimit që krahas hetimit të paligjshmërive, prioritare të kenë dhe krimet zgjedhore.